Është Obama ynë
Në qytezën ruse Novozavidovo njerëzit nuk pushonin së foluri për shkak të Jean Gregoire Sagbo, sepse nuk kishin parë kurrë një njeri me ngjyrë. Tani që Sagbo i ka hyrë edhe politikës, të gjithë vërejnë tek ai një virtyt tjetër shumë të rrallë: politikanin e ndershëm. I ardhur nga Benini, para një muaji u zgjodh këshilltar bashkiak. Kjo mund të krahasohet me një mrekulli në një shtet ku racizmi është radikal dhe shpeshherë i dhunshëm. Për momentin 48-vjeçari shihet thjesht si një person që mbron vendin dhe garanton mirëqenien e dhjetëmijë qytetarëve të vendit të tij.
ProgramiJean Gregoire Sagbo ka premtuar se do t’i rikthejë jetën e munguar qytetit, ku ka jetuar për 21 vjet me familjen. Në programin e tij, parësore janë ulja e varësisë ndaj drogës, pastrimi i një liqeni të ndotur dhe ngrohja e të gjitha shtëpive. “Novozavidovo ‘po vdes’”, ka thënë Sgabo në një intervistë. “Kjo është shtëpia ime, qyteti im. Nuk mund të jetojmë kështu”.
“Lëkurën e ka të zezë, por shpirtin të pastër dhe ç’është më kryesorja, rus”, ka qenë komenti i kryebashkiakut Vyacheslav Arakelov. Sagbo nuk është zezaku i parë në politikën ruse: Joaquin Crima, nga Guinea-Bisau, para një viti mori pjesë në zgjedhjet administrative në një krahinë në jug të vendit, por nuk fitoi, pavarësisht se shtypi e cilësoi si “Obama rus”. Titull që tani i përket Sagbo-s, por ai e kundërshton: “Emri im nuk është Obama. Të dy jemi të zinj, por në situata krejtësisht të ndryshme”. I tërhequr nga ideologjia komuniste, Sagbo erdhi në ish-Bashkimin Sovjetik, në vitin 1982, për të studiuar ekonomik në Moskë. Aty u njoh edhe me bashkëshorten, e cila ka lindur në Novozavidovo. Në 1989-n, çifti u zhvendos për të jetuar në Novozavidovo, 100 kilometra larg qendrës për të qenë më pranë vjehrrëve.
Agjent imobiliarSot Sagbo është babai i dy fëmijëve dhe punon si agjent imobiliar, duke qenë se si këshilltar nuk paguhet. Nuk kishte qëllim t’i futej politikës, por bashkëfshatarët e shtynë të hidhte këtë hap, duke parë edhe angazhimin e tij për ta bërë më të bukur e rrugën ku jetonte, duke e pastruar e duke e mbjellë me lloj-lloj lulesh. Para dhjetë vjetësh organizoi një grup vullnetarësh dhe nisi një projekt që më pas u shndërrua në ditën kombëtare të mbledhjes së mbeturinave. Denis Voronin, një 33-vjeçar nga Novozavidovo, tashmë nuk ka asnjë dyshim: “Politikanët e mëparshëm ishin të gjithë kriminelë”. Gjithashtu ai shton se paratë e buxhetit të qytetit zhdukeshin vazhdimisht. Banorët ishin shumë korrektë në pagimin e ujit dhe energjisë elektrike, por sërish të hollat nuk arrinin të mblidheshin dhe më e keqja ishte se nuk dihej se ku shkonin. Në bashki ka vetëm një tualet, i cili ndodhet në një korridor të futur nën tokë. Por Sagbo i ka marrë masat për të gjitha gjërat: për shembull ka mbledhur fonde për rregullimin e fushave të futbollit që të luajnë fëmijët. “është ndryshimi i vetëm që kam parë këto pesë vitet e fundit. Asnjë nga politikanët e mëparshëm nuk është kujtuar të bëjë diçka për vendin. Edhe Sagbo është një njeri i thjeshtë si ne, por të paktën nuk e ka harruar premtimin e bërë”, thotë një grua.
Rreth tijJean Gregoire Sagbo ka lindur në Benin, në Afrikën Lindore, është një agjent rus imobiliar dhe politikan. Konkretisht pozicioni i tij është këshilltar në bashkinë e Novozavidovo. Sagbo është rusi i parë me ngjyrë të zezë, ose afro-rusi, i zgjedhur në një post të rëndësishëm në Rusi. Vendasit e kanë pagëzuar me emrin “Obama i Rusisë”. Sagbo emigroi në ish-Bashkimin Sovjetik në vitin 1982. U martua dhe ka dy fëmijë. Gjatë vitit të parë të qëndrimit në Novozavidovo, kur ishte 4 vjeç, u përball me sjelljet raciste të vendasve. Të tilla sulme janë verifikuar shumë herë në Rusi. Sipas një grupi ekspertësh, vetëm në Moskë kanë ndodhur 49 herë brenda një viti. Sagbo flet frëngjisht me theks rus. Si këshilltar, ai mbledh donacione për të restauruar ndërtesat e vjetra të rrënuara. Ai u zgjodh këshilltar në qershor të vitit 2010. Fakti që e kanë krahasuar me Presidentin Obama nuk i pëlqen aspak, edhe pse të dy kanë të njëjtën ngjyrë lëkure. Sagbo nuk paguhet për punën si këshilltar bashkiak. Qëllimi i tij është ta rregullojë dhe mirëmbajë qytetin ku jeton. Edhe kryebashkiaku i Novozavidovo, Vyacheslav Arakelov ka thënë dy fjalë për të: “Vërtet është zezak, por ka shpirt rusi. Mënyra se si ai kujdeset për këtë vend, vetëm një rus mund ta bëjë”.
#