Fëmijët e familjes Mustafa do të jetojnë në fshatin SOS
Dy prej fëmijëve të familjes Mustafa, që i mbijetuan aksidentit të rëndë të 17 korrikut në Gjegjan të Pukës, vëllezërit Mirsed dhe Armando Mustafa, përkatësisht 4 dhe 8 vjeç, nga sot do të jenë pjesë e familjes së madhe të fëmijëve jetimë në fshatin SOS, qendra e shërbimeve sociale Bethani.
Vendimi është marrë nga Ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në bashkëpunim me familjarët e fëmijëve, të cilët humbën prindërit dhe një motër 13 vjeçe ditën kur autobusi me të cilin ktheheshin nga pushimet në Durrës, ra në humnerë. Drejtoresha e Politikave të Shërbimeve Sociale në Ministrinë e Punës, Denada Seferi, tha publikisht se pas dy vëllezërve, pritet akomodimi në fshatin SOS edhe i dy motrave të familjes Mustafa, Anisës 10 vjeçe dhe Miraldës 14 vjeçe.
Aktualisht dy motrat Mustafa po trajtohen ende në Spitalin Ushtarak. Mjekët specialistë janë shprehur optimistë për përmirësimin e gjendjes së tyre. Familja Mustafa është familja që u dëmtua më shumë nga aksidenti i rëndë i 17 korrikut, pasi humbi tre persona.
#