Ambalazhet, plastika, pajisjet, rreziku afrohet në Shqipëri
Shqipëria deri tani nuk ka pasur kuadër ligjor dhe mbi të gjitha kulturë qytetare për administrimin mjedisor të mbetjeve elektronike dhe elektrike. Në shtretërit e shumë lumenjve në vend janë depozituar mbetje plastike, të cilat nuk janë hequr prej vitesh. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë prezantimit të projektvendimeve për trajtimin e ambalazheve dhe mbetjeve të tyre, ka saktësuar se prodhuesit dhe importuesit e produkteve me ambalazh duhet të mbajnë përgjegjësi për menaxhimin e mbetjeve.
Sipas këtij projektvendimi, pritet që pas 17 vitesh 50-65% e mbetjeve të digjen në një impiant dhe 25-45% e tyre të riciklohen.
Ministria e Mjedisit është duke punuar për përgatitjen e një projektvendimi në fushën e legjislacionit mjedisor. Ekspertiza e këtij kuadri ligjor është kryer, me konsulencën ndërkombëtare dhe atë të specialistëve më të mirë në vend. Sipas ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, në këtë proces, prioritetet e ministrisë kanë pasur në vëmendje problematikën më të mprehtë mjedisore të vendit, si mbetjet urbane, ujërat e ndotura, cilësinë e ajrit. Dje, në një takim mes specialistësh, janë paraqitur për diskutim dhe konsultim tri projekt-VKM: për ambalazhet dhe mbetjet e tyre, për bateritë dhe akumulatorët, për mbetjet nga pajisjet elektrike dhe elektronike. Ambalazhet dhe mbetjet e tyre janë një ndër problemet e mprehta mjedisore. Ajo që aktualisht përbën shqetësimin më të madh ka të bëjë me ambalazhet plastike. “Plastika dhe përdorimi pa kriter i tyre, veçanërisht pas përdorimit, janë të shpërndara në pjesë të konsiderueshme të territorit. Bateritë dhe akumulatorët, si rezultat i shtimit të mjeteve dhe pajisjeve që përdorin ato janë bërë, gjithashtu, një shqetësim i madh mjedisor, por edhe për vetë shëndetin e qytetarëve tanë”, sqaroi ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Sipas tij, bateritë përmbajnë njëkohësisht dhe lëndë të rrezikshme, kështu që administrimi mjedisor i tyre, me qëllim edhe riciklimin, do të sjellë progres në këtë drejtim. Gjatë kohëve të fundit, pajisjet elektrike, elektronike dhe mbetjet e tyre janë shtuar në masë. Ato për rrjedhojë gjenden të hedhura në vende të ndryshme të paautorizuara.
#