Frankthi, fshati që po braktiset për mungesën e ujit
Pas fshatit Bersh, një tjetër fshat i rrethit të Matit po boshatiset dita-ditës, për shkak të mungesës së kushteve minimale për jetesë. Bëhet fjalë për fshatin Frankth të Komunës Komsi, ku shkak i braktisjeje masive është bërë mungesa e ujit të pijshëm dhe për vaditje, si dhe mungesa e rrugës automobilistike. Një lagje e këtij fshati, ajo e Hoxhajve, aktualisht rezulton të jetë pothuajse e braktisur nga banorët e saj. Edhe pse në afërsi të qytetit të Burrelit, vetëm 7 kilometra larg tij, fshati Frankth nuk ka pasur asnjëherë rrugë automobilistike që ta lidhë me qendrën e rrethit. Banorët ankohen se për të ardhur në qytet për problemet e tyre familjare, si sëmundje, furnizim me ushqime, apo shërbime në institucione, ata duhet të udhëtojnë dy orë në këmbë apo me kafshë. “Ndërkohë që në fshatrat e tjerë dëgjojmë të flitet për asfaltim rrugësh dhe 24 orë ujë në shtëpi, për ne mungon edhe uji për vaditjen e tokave dhe larjen e rrobave”, thotë një banor i Frankthit. Gratë e këtij fshati vazhdojnë të lajnë rrobat në lumin Mat, duke përshkuar dy orë rrugë me kafshë ngarkese për të zbritur deri atje, pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër për larjen e rrobave. Megjithëse banorët thonë se ndihen tepër të lidhur me fshatin e tyre të lindjes, një gjendje e tillë pa ujë dhe rrugë, po i detyron ata në masë ta braktisin atë edhe pse nuk e dëshirojnë një gjë të tillë. Vazhdimisht, sidomos gjatë fushatave elektorale zgjedhore, atyre u është premtuar zgjidhja e këtyre problemeve, por më pas asgjë nuk është bërë. Gjithsesi banorët shprehen të bindur se po të vijë në fshat uji i pijshëm dhe ai për vaditjen e tokës, jo vetëm ne që nuk do largohemi, por do të kthehen edhe ata që janë larguar.
#