Është rrënjosur ideja e "shkëmbimeve"
Çështja që ka dalë së fundi edhe në mediat shqiptare, ajo e z. Baze me ministrin Basha, si dhe marrëdhëniet e botuesit të gazetës "Tema" me Kryeministrin, përveç të tjerash, në mënyrë shumë të qartë tregon marrëdhëniet e votuesit me politikanin. Në këtë marrëdhënie të veçantë ngjyrat që spikatin janë ato të grisë. Dhe janë gri sepse nga natyra e vet kjo marrëdhënie ka kuptimin e bindjes ndaj politikanit, por edhe e kundërta. Sigurisht që nuk çon domosdoshmërish në veprime të paligjshme, por gjithsesi vlerësohet si një marrëdhënie që ka në vetvete konfliktin e interesit. Kjo e bën ndoshta më të pranueshme, por edhe shumë më të ekspozuar ndaj gabimeve. Pa ekzagjerim mund të quhet një marrëdhenie klienteliste që çon shpesh në privatizimin e politikës nga ata që mbajnë poste jashtë politikës e që e përdorin më pas këtë privatizim për të pasur akses në pushtetin politik, si një e drejtë personale në një fazë të parë dhe në një fazë të dytë, deri në kërkim të parave të paligjshme. Në Shqipëri është e rrënjosur ideja e "shkëmbimeve" për ndihmën e çdo lloji apo për dhënien e votës. Në këtë tip marrëdhënieje është e zakonshme oferta e administrimit primar në shkëmbim të dhënies së votës, apo ndihmës që çon automatikisht qytetarët në vendin e "klientit". Në "klientë" që i referohen funksionimit të keq e të padrejtë të administratës publike, që të kërkojnë më pas mbrojtje e favorizime nga politikani i përzgjedhur. Përdorimi i shtetit për përfitime personale dhe klienteliste në dëm të ekonomisë është një akt që rrezikon dukshëm dhe fuqishëm të ardhmen e vendit. Pavarësisht kësaj, në çdo fushatë elektorale lidhja klienteliste e përshkruar më lart rritet e mbizotëron. Sigurisht që duke qenë një marrëdhënie e fushës gri, gjithkush që ndihmon e voton mund të jetë edhe në pozicionin që të dojë të bëhet politikan e të mos jetë kështu vetëm si "klient". Kjo tentativë dhe ambicie krijon nga anatjetër politikanë të dy kaheve: Atyre që mund të plotësojnë kërkesat dhe nevojat që janë jetëgjatë, dhe atyre që nuk mund të krijojnë aksesin në mekanizmat më të gjera shtetërore e që janë vetëm çështje kohe që të dalin jashtë skenës politike. Teorikisht u takon vetë politikanëve që të çohen e të marrin iniciativa radikale që të zhduket mentaliteti i rrezikshëm i marrjes dhe dhënies mes votuesve dhe politikanëve. Por kjo gjë nuk ndodh, dhe kjo mbasi si qytetarët, ashtu edhe politikanët e kuptojnë se varen nga njëri -tjetri në atë masë sa që të dy palët përbëjnë imazhin e një vendi që nën përgjegjësinë kryesore të politikanëve, ka vendosur të shkojë përpara me kushte të së djeshmes dhe me iluzionin se nuk do e kuptojë askush. Por në thelb duhet kuptuar se kërkesa për përdorimin e shtetit në dëm të ekonomisë dhe vetëm për arsye klienteliste të sistemit politik, është sot veçse një bombë që mund të shpërthejë në çdo kohë, me dëme që askush nuk mund t'i parashikojë.