Çuçi: Berisha dështoi me institucionet e pavarura
Opozita
Partia Socialiste vijon numërimin e dështimeve të qeverisjes, duke listuar kësaj radhe ndoshta dështimin më të rëndë të Sali Berishës. Nënsekretari për Çështjet Zgjedhore në PS-së, Bledi Çuçi në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se Berisha ka dështuar me demokracinë dhe pavarësinë e institucioneve.
Edhe 72 ditë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët do të largojnë me votën e tyre të bashkuar Sali Berishën, kryeministrin e rrënimit të vendit. Sali Berisha mashtroi të gjithë shqiptarët dhe në 2005 dhe në 2009, kur u përbetua se do të forconte demokracinë, do të garantonte të drejtat themelore dhe do të respektonte pavarësinë e institucioneve. Për ne socialistët, ky dështim është në vazhdën e mendësisë së tij totalitare dhe autokrate. Premtoi demokraci funksionale, por uzurpoi të gjitha pushtetet dhe instaloi frikën nëpërmjet modelit që vret dhe dhunon. Sipas raporteve të Freedom House, vit pas viti, Shqipëria ka humbur pikë lidhur me vlerësimin e demokracisë, duke na klasifikuar si një vend me demokraci hibride, një vend pjesërisht i lirë; një vend ku të drejtat politike dhe liritë nuk respektohen plotësisht; një vend që vuan si pasojë e korrupsionit, mungesës së shtetit të së drejtës dhe ku forca politike të veçanta kërkojnë të dhunojnë ekuilibrat institucionalë në dëm të pluralizmit dhe të demokratizimit të jetës së vendit, tha socialisti Çuçi.
Çuçi: Berisha dështoi me institucionet e pavarura burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email