Austria, parajsa fiskale në zemër të Europës
Presioni po rritet në këtë vend për të ekspozuar klientët e huaj të bankave të fuqishme vendase
Mund të thuash se beteja ka filluar. Politikanët po i japin formë një debati mbi faktin nëse Austria duhet të heqë dorë nga sekreti bankar dhe të japë informacione mbi depozituesit për partnerët e vet europianë dhe për Shtetet e Bashkuara. Vendimi i Luksemburgut këtë javë për të hapur letrat pas vitit 2015 është ndjekur me vëmendje në Austri.
Debati është i ashpër në këtë vend, ku konfidencialiteti i bankave është aq i lartë sa sekreti bankar është i instaluar si klauzolë në Kushtetutë. Se për çfarë arsye austriakët janë kaq të fiksuar me sekretin mbetet e debatueshme, por rrënjët duket se janë te mosbesimi i publikut ndaj autoriteteve. Por edhe ekonomia e errët mund të luajë një pjesë.
Unë, dhe natyrisht shumë klientë të tjerë, kërkojmë dy gjëra mbi të gjitha nga bankat: besueshmëri dhe privatësi, shkroi Florian Stadler, një lexues te gazeta më e shitur në vend, Krone. Nuk është puna e askujt se sa para kam shpenzuar apo kursyer unë apo se me kë bëj biznes, shkroi ai.
Zyrtarët këmbëngulin se do të mbrojnë qytetarët austriakë nga taksidarët dhe debatojnë nëse vendi me të vërtetë duhet të zbulojë identitetin e klientëve të huaj me llogari bankare në Austri.
Ndryshe nga Luksemburgu dhe Qipro, ku shteti shkoi drejt kolapsit financiar nga përmasat e ekzagjeruara të sektorit bankar, në Austri depozitat e huaja kanë një rol relativisht modest.
Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se europianët e tjerë kanë rreth 35 miliardë euro në banka në Austri, një e dhjeta e të gjitha depozitave. Në tërësi, të huajt kanë 53 miliardë euro në bankat vendëse.
Autoritetet fiskale sakaq mund të marrin të dhëna për llogari të ndryshme në rast se kanë dyshime të bazuara për keqbërje. Politikanët pëlqejnë të thonë se sekreti bankar në Austri është shumë shekuj i vjetër. Profesori i financave në Vjenë, Werner Doralt, thotë se rrënjët e vërteta të sekretit bankar janë te tregtia kontrabandë e epokës së pasluftës.
Poshtë dyshekut
Kishte shumë para të pista që njerëzit nuk dëshironin ti vendosnin në bankë, për shkak të frikës. Pastaj ne në Austri thamë se është më mirë të kesh para të pista në bankë sesa të fshehura poshtë dyshekut, sepse së paku në këtë mënyrë ajo mund të qarkullojë në formën e kredisë.
Për tu dhënë njerëzve ndjenjën e sigurisë, llogarisë anonime bankare, kjo gjë u përcaktua në Kushtetutë. Kjo është historia e vërtetë. Sekreti bankar te ne ishte më i fortë sesa në Zvicër.
Llogaritë anonime, të cilat aksesohen përmes një kodi sekret dhe një fjalëkalimi, morën fund vetëm pas presioneve ndërkombëtare një dekadë më parë. Pati shumë zemërim publik, por jo shumë tërheqje depozitash.
Konfidencialiteti u dobësua më shumë kur Austria vendosi se autoritetet mund të kenë të drejtë të aksesojnë të dhënat e bankës kur kryejnë hetime për evazion fiskal. Por sekreti mbetet i fortë në kulturën popullore.
Ne jemi një shoqëri që nuk kërkojmë faturë. Kjo është arsyeja se pse debati është kaq i ndjeshëm, thotë analisti politik Peter Filzmaier, duke shtuar se njerëzit kanë frikë se më shumë transparencë do të sjellë më shumë kontroll nga taksidari.
Për shkak se zgjedhjet pritet të zhvillohen në shtator të këtij viti, tani për tani askush nuk dëshiron të mbështesë idenë e transparencës, megjithëse shumë e dinë se sekreti nuk është më shumë i pranueshëm në Europë. Tradita e sekretit bankar në Austri është shumë e veçantë, për shkak se nuk ekziston në vende të tjera, si Gjermania.
Frikë dhe zili
Gjithsesi, njësoj si neutraliteti politik i Austrisë, edhe sekreti bankar është rrethuar nga mite, veçanërisht ideja se sekreti shërben për të shmangur ziliqarët.
Frika nga ziliqarët dhe frika nga kontrolli i autoriteteve mund të jenë arsye të forta për të shkaktuar shqetësime psikologjike. Ekziston frika se heqja dorë nga sekreti do ti bëjë njerëzit më të ekspozuar dhe të pashpresë përballë autoriteteve, pikërisht në vendin ku është shkruar Procesi i Kafkës. Njerëzit ndiejnë se liria është nën kërcënim dhe vihen menjëherë në pozicion mbrojtës.
Austria, parajsa fiskale në zemër të Europës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email