Çudia arkitektonike shqiptare
Juria ndërkombëtare, nën udhëheqjen e arkitektit holandez, Hans Ibelings, ka përzgjedhur projektin e byrosë austriake Coop Himmelb(l)au si fitues të konkursit për kompleksin e Parlamentit të Shqipërisë në Tiranë. 12 projektet e byrove prestigjioze arkitektonike garuan në fazën përfundimtare, ndërkaq maketet e projekteve të tyre ishin ekspozuar për dy javë për publikun. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë kishin mundësi që fituesin ta zgjidhnin përmes internetit.
Përcaktorët themelorë demokratik, si paanësia, transparenca dhe bashkëvendësja publike, janë vlera përmes të cilave Shqipëria dëshiron të tregojë se, përkundër të gjitha problemeve, është e gatshme për BE. Projekti për Parlamentin Shqiptar, i hapur nga Coop Himmelb(l)au i kthen pikërisht këto vlera metaforike të demokracisë në kuptimin e tyre primar, derisa synon që mbi to të ndërtojë këtë projekt.
Drejtuesi i projektit nga CoopHimmelb(l)au, Wolf D. Prix, deklaroi se: "Projekti ynë për parlamentin në Tiranë paraqet transparencën e plotë të demokracisë”.
Segmentet e ndryshme të kompleksit të ri nuk janë kontradiktore mes veti. Ato në aspektin arkitektonik bashkëjetojnë brenda një kompleksi unik të estetikës moderne, i cili do të duhej të hapte mundësi të reja dhe t’i jepte një domethënie të re funksioneve që i ngërthen.
Optimalizimi i shpenzimit aktiv dhe pasiv të energjisë përmes një qasjeje moderne arkitekturore ndaj projektit të Parlamentit të Shqipërisë është përmendur si njëra prej pikave nismëtare të tij. Ndërtesa e re është projektuar në atë mënyrë që të shfrytëzojë burimet dhe rrjedhat natyrore të energjisë nga ambienti ku ndodhet, e kjo me qëllim që të sigurohen kushtet optimale për qëndrim brenda saj.
Ky është projekti i parë i byrosë austriake në Shqipëri, ndërsa kompleksi i ri do të ndërtohet mbi parcelën qendrore me sipërfaqe prej 28,000 metrash katrorë, në afërsi të objekteve tjera qeveritare. Ndërtesa do të jetë kështu një pikë e re reference brenda bërthamës urbane të Tiranës.
Me ndërtesën e re të Parlamentit Shqipëria dëshiron të dëshmohet se është pjesë e Evropës së re. Vitin e kaluar BE’ja refuzoi që Shqipërinë ta shpallte si vend kandidat për hyrje në Union. Por, projekti i aprovuar i byrosë Coop Himmelb(l)au, e cila në vitin 2009 fitoi edhe konkursin për ndërtesën e re të Bankës Qendrore Evropiane, në Frankfurt, do të duhej t’ua kthente shpresën shqiptarëve se kanë bërë edhe një hap më afër Unionit, shkruan portali kroat Pogledaj.to.