Ban i shqetësuar për dhunën në Siri
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka shprehur "shqetësime të thella" lidhur me shtypjen e dhunshme të protestave nga autoritetet në Siri, sidomos për shkak të përdorimit të tankeve dhe municionit luftarak nga forcat e sigurisë.
Ndërkohë, ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, e akuzoi Iranin se e mbështet regjimin e Sirisë, teksa ai po i shtyp protestuesit.
Komentet u bënë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi konsultime lidhur me një deklaratë të mundshme për Sirinë.
Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha se veprimet e presidentit sirian Bashar al-Assad kundër protestuesve, janë tërësisht në kundërshtim me ato të një udhëheqësi të përgjegjshëm. Diplomatët amerikan po bisedojnë me aleatët evropianë rreth sanksioneve të reja që synojnë rrethin qeverisës të Sirisë.
Zyrtarët amerikanë nuk shkuan deri aty sa të thonë se presidenti al-Assad ka humbur legjitimitetin e sundimit. P
or ata po shtojnë kritikat ndaj udhëheqësit sirian, mes raporteve se numri i të vdekurve gjatë 40 ditë protestash kundër qeverisë së Damaskut tani mund të tejkalojë shifrën prej 400 vetë.
Duke folur për shtypin, Drejtori i Departamentit të Shtetit për Planifikimin e Politikave, Jake Sullivan, e quajti aksionet e qeverisë siriane “brutale dhe të ndëshkueshme” dhe tha se qeveria në Siri duhet të respektojë dhe të zbatojë të drejtat universale të lirisë së shprehjes dhe tubimeve.