"Dashuri e hidhur"në Teatrin Kombetar
TIRANE- "Amaro amore", është titulluar shfaqja që do të vihet në teatrin kombëtar këto ditë. E realizuar mbi motivet e "Romeo & Zhuilet" nga Shakespeare, kjo shfaqje lind nga takimi i një bërthame aktorësh historikë të Teatrit Kombëtar dhe një grupi të rinjsh aktorësh shqiptarë, me një regjisor italian dhe një mjeshtre italiane të arteve skenike, falë bashkëpunimit të drejtorit Kristaq A. Skrami me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë. Në fakt premiera e datës 29 prill, ora 20:00, cilësohet si një spektakël, teatral i inspiruar nga Shakespeare me pjesëmarrjen e : Yllka Mujo, Andi Begolli, Dritan Boriçi, Erjeta Cufaj, Olta Daku, Ervis Fiora, Monika Lubonja, Kamber Mici, Florand Veizi dhe Elia Zaharia. Dy familje janë në luftë për shkak të një mërie të vjetër dhe viktima të këtij rivaliteti, janë bijtë e tyre. Në kufirin e hollë që ndan adoleshencën nga mosha e pjekurisë, zbulimi i dashurisë është një valë e paepur që s'ka shkëmb, sado i fortë, ta ndalojë. Fundit tragjik i të dy të dashurve, i kundërvihet forca e një dashurie që do të mbetet përgjithmonë absolute. Besoj se për këdo është e ndërlikuar që të thotë me saktësi kur dhe si historia e Romeo dhe Zhuljetës është ngulitur në memorien e vet: në një moment të caktuar bën pjesë, sikur të na kishte lexuar, para se ta kemi lexuar. Për këtë e zgjodhëm, si ura ku mund të takohemi. Imazhe, përvoja, gjuhë të ndryshme, kishin nevojë për një histori të përbashkët dhe kjo na u duk e duhura për ne: e përshtatshme për kohën që jetojmë, për vetmit që tregon, për dashurinë të cilës i referohet dhe për paralajmërimin që u bën disa baballarëve, kaq pak të vëmendshëm ndaj lumturisë së bijve. Shfaqja jonë i shton dhe i heq nyje origjinalit, duke u përpjekur që të respektojë vlerat më intime, fryt i një peme bujare dhe të fortë, tregon në mënyrë të thjeshtë, cilët jemi dhe për dashurinë në luftë nga e cila, shumë herë përsëri, mbetet hidhësia.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)