Verter, magjia e një opere
Vitet e fundi Teatri Kombëtar i Operas, mbështetur edhe në traditën e shkëlqyer të tij, ka njohur vetëm suksese, që për nga realizimi padyshim qëndrojnë në kulmet e dëshiruara. Premierë pas premiere janë shpalosur vlera ku me forcën e aftësisë mjeshtërore të dirigjentëve, orkestrantëve dhe këngëtarëve lirikë i është dhuruar publikut një magji e vërtetë me pjesë nga kompozitorë të mëdhenj, që me krijimet e tyre e për nga mesazhi që kane përcjellë kanë lënë mbresa të thella tek artdashësit. Të ndjekësh me vëmendje çdo premierë të këtij teatri në vijueshmëri, nuk mund të mos e ndiesh veten të mbështjellë me një tis ngazëllimi (për këdo që është i apasionuar pas muzikës klasike) e që pa dashje të bën që mendjen ta kesh vetëm atje te dita e shfaqjes së saj, për të zënë atë vendin në karrigen tënde dhe të shijosh në qetësi notat, vokalin dhe gjithçka që të dhuron ajo, me dëshirën që sa e si do të tingëllojë në zërin e atij tenori apo sopranoje apo edhe e çdo vokali tjetër.
Me këtë kureshtje i erdhi radha së fundmi edhe premierës së operas “ Werther” të kompozitorit Francez Jules Massenet (Zhyl Masne 1842-1912), i cili e mori frymëzimin nga romani i J. V. Goethe (Gëte) me titull “Vuajtjet e djaloshit Verter”, me libret të Eduard Blau, Paul Milliet dhe Georges Hartmann.
Kureshtja nuk qëndronte vetëm te fakti se një vepër e re opere shfaqet për herë të parë në skenën tonë, por edhe pse do të interpretonte Verterin, Saimir Pirgu, një i ri shqiptar te të tridhjetat, i njohur shumë në skenat operistike të botës për talentin e tij të madh dhe shumë pak i prezantuar këtu në Tiranë. Ai vjen në skenën tonë (edhe të tijën) pasi korri sukses së fundmi edhe në kryeqendrën operistike të botës, në La Skala të Milanos, me një Tamino të Die Zauberflote, të realizuar shkëlqyeshëm, pak nga provat e të cilit i pamë kohë më parë në një emision televiziv te një stacion i yni. Dhe veç kësaj përzgjedhje të duhur, e veçanta do të qëndronte edhe në faktin tjetër se si do të dilte në krah të Saimirit, Vikena Kamenica, kjo këngëtare tashmë e konsoliduar me role të njëpasnjëshme tejet të arrira.
E pabesueshme. Ishte një përzgjedhje e duhur për t’i dhuruar publikut në sallë një magji interpretimi brilant. Një çift që me zërat e tyre mbajtën peshë kërshërinë e të gjithëve për virtuozitetin e arritur.
Opera do të fillonte me një vëmendje të përqendruar për të ndjerë muzikën në gjithë veçantitë e notave të dala nga orkestra. Notë pas note, ajo muzikë e Massenet të rrëmbente dhe t’i harroje që ishe në sallë pranë të afërmit tënd, shokut apo shoqes, miqve apo të njohurve. Ndjesia sikur të shkëputej prej vetes dhe të endej atje te notat e violinës së parë dhe të dytë, apo flautit, violonçelit, harpës, për të humbur në to në atë lirizëm të bukur e të ndjerë.
Sipari do të ngrihej dhe skena së bashku me personazhet do të shfaqeshin e sërish ndjesia nuk do të nderej, por do të mbetej e vërtitur në atë hapësirë melodie sa edhe frymë do të harroje të merrje. Do të vërtiteshe siç engjëjt në qiell nga tingëllimi perfekt muzikor i orkestrës. Sa mendoje se shijoje një fagot, një tingëllim oboje, flauti apo një violinë të mrekullueshme, befas të shfaqej një kontrabas apo korno, bass tub dhe një timpan ku ai lirizëm tronditej pak edhe nga një dramacitet që aty këtu të linte të kuptoje se më pas diçka do të ndodhte në shpërfaqjen dramaturgjike të operas, që aq mjeshtërisht autori e ka sjellë të ndërthurur në veprën e vet. Pastaj mendimi regjisorial me lëvizjet skenike na sillte bukur prezantimin e personazheve në takimin e parë të Verterit me Sharlotën dhe në atë hapësirë skenike kuptoje se kishe të bëje me dy vokale potente, befasues për nga aftësia e të kënduarit por edhe të mjeshtërisë së aktorit. Kur mendoje se Pirgu (Verter) me vokalin si një tenor i shkëlqyer arrinte pastër kulmet në notat e larta, mexosopranoja Kamenica (Sharlot) me ndërhyrjet në dialogun muzikor sillte një mbushje dueti, që për nga variacioni mjeshtëror shpaloste një ekspoze të re marrëdhëniesh skenike tepër organike, të sigurta e të diksionuara qartë. Një duet mbresëlënës nga prezantimi i parë e deri në mbylljen tragjike të operas, me kulmet e tyre. Do të mbeten në memorien e publikut mjaft skena të aktit të parë e deri tek i katërti, si ajo e propozimit që Verter i bënë Sharlotës, apo largimi i Verterit ose kthimi i tij apo vetëvrasja pasi Sharlota nuk mund t’i dilte fjalës që i kishte dhënë nënës se do të mbante familjen dhe se nuk mund të tradhtonte atë që ishte vendosur tashmë të ishte bashkëshorti i saj, që janë edhe pika kulmore të operas. Saimir Pirgu, sikundër edhe Vikena Kamenica, do ta sillnin ngjarjen me një kreshendo të pa diskutueshme, në maja profesionale të mbushura me pasion e emocione që rrallë kush ka mundësi t’i ndiejë ndoshta kaq shumë sa vetë ata në zbërthimin dramaturgjik të veprës. Por jo vetëm ata do ishin fatlumët e interpretimin virtuoz, por edhe spektatori do të ndiente në këto dy role arritje të kalibrit botëror për nga cilësia absolute deri në mahnitje me vokalin e tyre. Kompozimi i Massnet mori kështu një tingëllim shumë e shumë mbresëlënës edhe nga skena shqiptare e operas. Për të thënë se edhe zgjedhja e personazheve të tjerë, si Albert, interpretuar me plot ambicie profesionale nga baritoni Armando Likaj apo Sofia, me rolin tepër simpatik të sjellë në skenë nga sopranoja Ulpiana Aliaj, apo Shmid dhe Johan, respektivisht nga Denis Skura dhe Ogert Islami, e të tjerë interpretues, do të mbushnin edhe me më shume emocione këtë vepër të mrekullueshme sjellë për publikun tonë.