Ushtaraku: Në Gërdec, firma punoi pa urdhër me shkrim
Kanë vazhduar edhe gjatë seancës së djeshme dëshmitë e ushtarakëve për fillimin e punimeve në Gërdec. Sipas tyre, firma ka filluar punimet në ish-repartin e Gërdecit pa një urdhër me shkrim. Disa herë jemi ankuar thanë dëshmitarët, sepse firma kishte filluar të prishë disa objekte të repartit. Për çdo veprim të kryer kemi njoftuar eprorët dhe i kemi shkruar në procesverbal. Gjithashtu, ata pohuan se pas disa kohësh reparti kaloi në varësi të MEICOS dhe se rojet private të firmës nuk i lejonin të hynin në ambientet e repartit. Mehmet Metko dhe Zenel Kuçani ishin dy dëshmitarët e radhës në proces.
Mehmet Metko, tha se në periudhën prill-maj ka kryer detyrën e shefit të shtabit të Brigadës të Mbrojtjes Ajrore në Selitë. Sipas tij, ish reparti i Gërdecit ishte vetëm një pronë në ruajtje dhe kishte varësi direkte nga batalioni i raketave Maminas. “Në atë kohë nuk kishte komandant dhe unë isha autoriteti më i latë. Ka qenë 28 prill dhe unë u vura në dijeni nga Hasim Selmani se në Gërdec ka ardhur një grup punëtorësh, të cilët kërkojnë të ndërtojnë një objekt. I dhashë urdhër Selmanit që të mos lejonte të futej njeri në repart, pasi nuk kishte ndonjë urdhër. Më pas fola në telefon me komandantin e forcës ajrore, Astrit Jaupi, dhe i bëra të qartë situatën konkrete. Ai më tha se do të fliste në telefon me eprorët e tij. Pas 35 minutash më ka komunikuar në celular dhe më tha që të lejohet hyrja deri ditën e hënë, pasi do vinte urdhri me shkrim. Këtë urdhër ia transmetova Hasim Selmanit. Ditën e hënë urdhri nuk erdhi ndërkohë që më kanë informuar se ditën e hënë grupi i punëtorëve po vazhdonte punën me piketimin e objektit. Kërkova një informacion me shkrim dhe më 10 maj të vitit 2007 i kam dërguar Astrit Jaupit kërkesë për ardhjen e urdhrit me shkrim. Gjatë kësaj kohe, pra para datës 10 maj, urdhërova ndërprerjen e punimeve të firmës, pasi nuk kishte ndonjë urdhër me shkrim. Urdhri nuk u zbatua, ndërkohë që katër ditë më pas u largova nga puna dhe nuk di gjë se çfarë u bë më tej”. Ushtaraku tjetër që dëshmoi ishte dhe Zenel Kuçani, ish-komandant në inventarin e detashmentit. Kuçani tha se kishte punuar si ushtarak në fabrikë nga data 1 marsi deri me datë 1 korrik të vitit 2008. “Unë isha komandant në inventarin e detashmentit. Detyra jonë ishte të ruheshin objektet dhe e gjithë zona ushtarake. Vartësit e mi më raportuan se kishte filluar punë firma MEICO për ngritjen e një objekti për demontim municionesh. Kur vajta në fabrikë konstatova se po vazhdonte puna për vendosjen e makinerive të demontimit. Kur kam shkuar kam gjetur si dokument një kontratë qiraje. Në kontratë bëhej fjalë për dhënien me qira të rreth 200 metrave katrorë. Kur unë mora detyrën ishin prishur 2 objekte dhe dhashë urdhrin që të fotografoheshin të gjitha objektet për të qenë brenda rregullave”, tha Kuçani.
#