E Diel, 1 Nëntor 2026

Çuditë e kryeqytetit...

Nata pulson fort në zemër të Bllokut. Diku klientët rrallohen diku shumohen. Si zë vendi pa ia thithur palcën kësaj nate. Por kurrë se kuptova mekanizmin e këtij qejfi. Sa pak ndërveprim! Sa pak lojë! Këqyrin dhe këqyren. Pinë. Këqyrin pijen, faturën, as dëgjojnë as flasin… tymosin.

Hyrja e femrave në mjediset e mugëta është pompoze sa vetë zbrazëtia e tyre. Ndrisin! Të bukura s’ke ç’thua. por e ngrinë mjedisin… e mpinë! Lirohuni njerëz, flisni, pini dhe qeshni. Në një skutë të tillë mjedisi ndryshoi për një fjalë goje të thënë nga Djay: “Hallakatuni” – briti ai – dhe gjindja u bë më mirë vetiu.

Turisti a gazetari i supozuar ka mbetur diku në xhepat e Bllokut. Ai është në kryeqytetin shqiptar të cilin ia kishin nxirë dhe sapo ka hequr ankthin pas ca gotave whiskey në një nga pubet e zonës. Flokëkuqja përballë e ka gozhduar në stolin e lartë.

“Nuk është ashtu siç ma kishin përshkruar … por sesi është – thotë me vete ”. Banakieri ka kohë që e përgjon dhe nis t’i shpjegojë me një anglishte të kulluar sesi funksionon kjo puna e femrave dhe politikës. Në rast se turisti është gazetar, ky djalë do të figurojë patjetër në artikullin e tij. Në rast se është vetëm turist do t’u rrëfejë miqve mbi çuditë e këtij kryeqyteti…

Dhe nata do shuhet kësodore pas hallakatjes që vetë Djay e shpalli. Të shkretët banorë përreth, që arkivojnë në ëndrrat e tyre të pirën e djemve të pafatë dhe fishkëllimat e gomave si shenjë triumfi. Pa turistët shkojnë e vijnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›