E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata Tatimore, plan të thelluar për formalizimin e sektorit të turizmit në 2026-ën

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Administrata Tatimore bëri të ditur se ka përgatitur ndërhyrje të thelluar në sektorin e turizmit për vitin 2026, me synim formalizimin e plotë të një prej industrive më dinamike në ekonominë e vendit, por edhe me prani të lartë të informalitetit.

Sipas Planit Sektorial të Turizmit të miratuar nga Komiteti i Riskut, sektori ka shënuar rritje të qëndrueshme dhe kontribuon në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërsa sfidat kryesore mbeten mospërmbushja e detyrimeve tatimore dhe mangësitë në raportim.

Ky plan synon forcimin e formalizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të aktivitetit turistik, përmes: rritjes së përputhshmërisë tatimore; përmirësimit të transparencës dhe standardeve në ofrimin e shërbimeve; përdorimit të teknologjive të avancuara dhe inteligjencës artificiale për evidentimin dhe analizimin e tatimpaguesve mosdeklarues apo me risk të lartë.

Në kuadër të zbatimit të këtij plani, Administrata Tatimore do të aplikojë kontrolle të targetuara, të bazuara në analizën e riskut; do të kërkojë deklarim të saktë dhe të plotë të të ardhurave.

Po ashtu, do të ushtrojë monitorim deklarimit të punonjësve të angazhuar në aktivitet, si dhe zbatimin e pagave indikative si element në vlerësimin e riskut tatimor si dhe verifikimin e zbatimit korrekt të faturimit elektronik për çdo shërbim të ofruar.

Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit, që operojnë në sektorin e turizmit të marrin masat e nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me legjislacionin tatimor në fuqi, me qëllim shmangien e masave administrative dhe penalitetet që rrjedhin nga mosrespektimi i detyrimeve ligjore.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›