ASHK: Regjistrimi i dëshmisë së trashëgimisë, pa penalitete nëse aplikohet brenda 30 ditëve

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) njofton se shërbimi për regjistrimin e dëshmisë së trashëgimisë ofrohet pa kamatëvonesë për qytetarët që aplikojnë brenda 30 ditëve nga data e çeljes së saj.
Sipas ASHK-së, aplikimi kryhet në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për regjistrim të aktit të trashëgimisë”. Gjatë procesit, qytetarët duhet të përfshijnë edhe shërbimet shoqëruese si certifikata e pronësisë, kartela e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale.
Kadastra njofton se, pas plotësimit të formularit dhe ngarkimit të dokumenteve në format PDF, aplikanti shkarkon mandatin e pagesës, i cili mund të likuidohet online, në postë ose në bankë.
Në vijim, dokumentet origjinale dërgohen me postë pranë drejtorisë vendore të ASHK-së.
Ndër dokumentet e nevojshme për aplikim përfshihen akti i trashëgimisë (noterial ose vendim gjyqësor), certifikata e gjendjes civile për regjimin e bashkësisë ligjore të trashëgimlënësit, në rastet kur nuk është e përfshirë në akt, si dhe dokumentet e pronësisë ose të dhëna për pasurinë.
ASHK thekson se ndjekja e këtij afati u mundëson qytetarëve të shmangin penalitetet dhe të përfundojnë procedurat në kohë më të shpejtë.
/e.xh/j.p/r.e/