E Diel, 1 Nëntor 2026

1,14 miliardë euro investime të huaja në gjashtë muaj, 610 milionë euro në pasuri të paluajtshme

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Shqipëria ka regjistruar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 një nivel rekord të investimeve të huaja direkte, me 1,144 miliardë euro të investuara në ekonomi, ndërsa pasuritë e paluajtshme kanë qenë destinacioni kryesor i kapitalit të huaj.

Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet në pasuri të paluajtshme arritën në 610 milionë euro gjatë janar–qershorit, duke shënuar një rritje prej 141% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ky zë përfaqëson më shumë se gjysmën e totalit të investimeve të huaja direkte të regjistruara në vend.

Vetëm gjatë tremujorit të dytë, fluksi i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme arriti në 438 milionë euro, vlera më e lartë e regjistruar për këtë periudhë, me një rritje prej 194% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Ecuria e investimeve në prona lidhet edhe me zhvillimin e projekteve të mëdha, veçanërisht në zonat turistike. Një prej faktorëve që ka ndikuar në kërkesën për prona është edhe rritja e blerjeve nga shtetasit jorezidentë.

Të dhënat e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se rreth një në pesë banesa të shitura në gjysmën e parë të vitit janë blerë nga jorezidentë. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 85%, janë shtetas të vendeve të Bashkimit Evropian.

Krahas pasurive të paluajtshme, kapitali i huaj është orientuar edhe drejt sektorit financiar, ku investimet arritën në 181 milionë euro, me rritje 23% në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Industria përpunuese tërhoqi 92 milionë euro, tregtia 67 milionë euro dhe energjia 66 milionë euro. Ndërkohë, investimet në informacion dhe komunikim arritën në 48 milionë euro.

Në total, investimet e huaja direkte u rritën me 50% në raport me gjysmën e parë të vitit 2025, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të flukseve të kapitalit të huaj, me pasuritë e paluajtshme që kanë marrë një peshë gjithnjë e më të madhe në strukturën e investimeve gjatë vitit 2026.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›