E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi rritet në shërbime, papunësia zbret në 8,3% në tremujorin e dytë

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Pagat dhe punësimi vijuan të shfaqin zhvillime pozitive gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa sektori i shërbimeve dhe veçanërisht aktivitetet e lidhura me turizmin kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në tregun e punës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e papunësisë zbriti në 8,3%, duke vijuar trendin e përmirësimit të treguesve të tregut të punës. Për grupmoshën 30-64 vjeç, papunësia arriti në 7,4%.

Në të njëjtën kohë, pagat vijuan rritjen me ritme të larta. Paga mesatare mujore bruto u rrit me 9,8% në terma vjetorë, me sektorin privat që shënoi një rritje prej 11,6%, kundrejt 7,6% në sektorin publik.

Ndërtimi ishte sektori me rritjen më të lartë të pagave, me 22,1%, ndërsa nivelet më të larta të pagës mesatare u regjistruan në aktivitetet financiare dhe të sigurimit.

Në strukturën e punësimit, shërbimet vijuan të kenë një rol të rëndësishëm, me një rritje vjetore prej 4,2%. Vetëm gjatë tremujorit të dytë, punësimi në këtë sektor u rrit me 1,8%.

Në të kundërt, punësimi në bujqësi u ul me 5,9%, ndërsa në industri me 3,9%, duke sjellë një rënie prej 0,9% të punësimit total.

Banka e Shqipërisë në raportin e Politikës Monetare për 3-mujorin e dytë të vitit 2026, vlerëson se rritja e pagave në pjesën më të madhe të degëve të ekonomisë lidhet me qëndrueshmërinë e kërkesës për punë, ndërsa zhvillimet në shërbime pasqyrojnë edhe ndikimin e aktivitetit turistik gjatë periudhës së verës.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›