Turqia kryeson investimet e huaja me 64 milionë euro në tremujorin e dytë

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Flukset e investimeve të huaja direkte në Shqipëri u mbështetën në tremujorin e dytë të vitit 2026 nga një grup i gjerë vendesh, me Turqinë në krye të renditjes sipas vlerës së investimeve.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet turke gjatë periudhës prill-qershor arritën në 64 milionë euro. Pas saj u rendit Austria me 62 milionë euro.
Në total, flukset e investimeve të huaja direkte në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë arritën në 741 milionë euro, duke përfshirë investimet nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.
Në strukturën e investimeve vijojnë të jenë të pranishme vende me lidhje të konsoliduara ekonomike me Shqipërinë, ndërsa të dhënat për tremujorin e dytë evidentojnë edhe ndryshime në peshën e investitorëve sipas origjinës së kapitalit.
Krahas Turqisë dhe Austrisë, ndër vendet që kanë kontribuuar në flukset e investimeve janë Holanda, Italia dhe Kosova. Në anën tjetër, investimet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, Norvegjia, Suedia dhe Serbia kanë pasur vlera më të ulëta gjatë këtij tremujori.
Ecuria e investimeve sipas vendeve pasqyron ndryshimet në flukset e kapitalit të huaj në ekonomi dhe strukturën e burimeve të investimeve direkte në Shqipëri.
/e.xh/j.p/r.e/