E Diel, 1 Nëntor 2026

7 Marsi, mësuesit kokteil me Berishën

7 Marsi do të mbledhë mësues të kryeqytetit, veteranë dhe drejtues të shtetit në një ceremoni festive në një hotel të njohur në Tiranë. Kokteili festiv shtrohet nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili do të jetë në shoqërinë e tyre nesër në orën 18.00. Në këtë ceremoni, me rastin e festës janë bërë ftesa për mësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit. Ndërsa gjatë paradites, Kryeministri do të jetë në shkollën "Harry Fulz", ku do të bëjë edhe përshëndetjen e rastit për 7 Marsin. Axhendën festive e bën të ditur drejtoresha e arsimit për Tiranën, Arjana Bekteshi.

Dita e mësuesit është një ndër festat më popullore në Shqipëri, ku mijëra nxënës vrapojnë të nderojnë mësuesit e tyre. Në këtë ditë të veçantë shkollat bëjnë pushim ose mësim me orë të shkurtuara. Drejtoresha e arsimit, Bekteshi, u shpreh se "mësuesit kanë disa orë mësimi në dispozicion për të zëvendësuar ato që lënë sot. Kështu që nuk ka asnjë problem moszhvillimi i mësimit nëpër shkolla në ditën e 7 Marsit". Ajo ftoi të gjithë mësuesit e kryeqytetit të ndjekin koncertin që zhvillohet në Pallatin e Kulturës, sot në orën 19.30. "Nxënës të Liceut Artistik dhe të shkollës së koreografisë do të kenë një shfaqje të bukur në ditën e mësuesit", tha Bekteshi.

Buqetat me lule dhe dhuratat ishin ato që të binin në sy dje edhe pse një ditë para festës. Shitësit ambulantë kishin zënë cepat e rrugëve për të qenë në dukje të nxënësve që vrapojnë të blejnë dhuratat për mësuesit e tyre. Ndërkohë, edhe restorantet ishin pothuajse të gjithë të prenotuar për ditën e premte, ku kolektivet e mësuesve kanë bërë rezervimet paraprake.

Ndërkohë, nga dita e djeshme, veçojmë se Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe ministri i Arsimit, Genc Pollo, kanë pezulluar aktivitetet e parashikuara me rastin e festës, për shkak të tragjedisë së Farkës. Zonja Topalli ishte e ftuar në njësinë bashkiake numër 10 për të festuar me mësueset dhe gratë e kësaj zone, ndërsa ministri i Arsimit kishte në axhendën e tij një takim me mësuesit e qytetit të Shkodrës një ditë para festës së tyre. Festa kombëtare 7 Marsi festohet prej vitesh në të gjithë vendin. Ajo u shpall si dita e mësuesit në kujtim të datës 7 mars 1887, datë kur u çel shkolla e parë shqipe. Mësonjëtorja e Parë Shqipe u hap në kushtet e pushtimit otoman nga një grup rilindësish. Drejtuesit e parë të shkollës ishin patriotët e Rilindjes Kombëtare, si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj. Mësonjëtorja e Parë Shqipe pati një jetë 15-vjeçare, ku përballoi pengesa dhe vështirësi të mëdha nga pushtuesit. Drejtori i parë i Mësonjëtores, Pandeli Sotiri realizoi mësimin krejtësisht në gjuhën shqipe me tekste të shkruara nga vëllezërit Frashëri dhe patriotë të tjerë. Kjo Mësonjëtore ishte një dallëndyshe e parë, ajo do të pasohej me hapjen e shkollave të tjera në Pogradec, Kolonjë, Zadrimë, më tutje me shkollën e vashave në Korçë, gjë që la jehonën e vet kudo në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›