E Diel, 1 Nëntor 2026

Të trishtohesh me Zonjën shnajder!

Ky është një vend me vetëdije të sëmurë. S‘ka si të jetë ndryshe. Në ekranin përballë, në të vetmin ekran të kryeqytetit, ku ende "arti i shtatë" shihet e shijohet me biletë, projektohet filmi "Trishtimi i zonjës Shnajder". Eshtë vepra e fundme e regjisorit të njohur shqiptar, P. Milkani. Miku i tij, Michele Placido, me të cilin ka realizuar ndoshta një dekadë më parë filmin "L‘america", luan në rol qendror, megjithëse shfaqet shumë pak. Një zonjë që vuan vetminë e vet. Një djalë shqiptar që duhet të kthehet në vendlindje pa të dashurën e vet. Festa ka mbaruar. Ka vetëm trishtim. Një trishtim që të mpin e të kthen në përmendore akulli. Derisa të dalësh që andej dhe të ndahesh nga e vërteta artistike, ndoshta dhe më shumë. Një zonjë e zhgënjyer, që nuk ka arritur t‘ia gjejë kuptimin jetës së vet, është vetëm shkasi për të prekur trishtime më të thella. Të një kohe pa të ardhme, të një brezi të dënuar për të mos e arrirë vetveten. Një shekull i tërë rrënqethet bashkë me trishtimin e zonjës Shnajder. Po a ka shekull dhe njerëzim që ta përjetojë trishtimin e saj?

Prapa krahëve të mi një palë nofulla përtypin ushqime të thata, që mund t‘i marrësh në të njëjtën kioskë ku shiten biletat e kinemasë së shekullit. Krrap-krrup, krrap-krrup! Do ca? Ah, ta paska marrë mendjen kjo zogëza me fustan me topa të blu! Shihe mirë, shihe, se sa herë vesh këtë fustan do të thotë se po shkon tek i dashuri. Krrap-krrup. Do ca? Shëët! Po vjen Katani! Ǒthua o?! Nuk jemi te "La Piovra". Eshtë tjetër film ky! Pa shih, pa shih! Dhe ky tipi që qaravitet na nxori zorrët! Krrap-krrup! Pusho, na lër pak të dëgjojmë. Ǒështë kjo? Kaq shpejt mbaruan punë këta?! Dashuri i thua ti kësaj? Ou dhe kjo zonja Shnajder, sa e trishtuar!

Më duket vetja si në filmat e Bertolucci-t. Dialogët e atyre që gjenden para dhe pas meje ngatërrohen vetvetiu me dialogët e filmit. Mor po ku është më i madh trishtimi? Diçka më mblidhet si makth në grykë. Për besë, nuk ka trishtim më të madh se ky i brendshmi. Eshtë trishtimi i pafuqisë për të jetuar me një të vërtetë të lartë. Kush është për t‘i qarë hallin këtu?! Zonja Shnajder, brezi i rinisë së djegur të viteve 1960, zhgënjimi i të njëjtit brez katër dekada më vonë, humbja e qëllimit të jetës dhe e besimit te njeriu, pikëllimi botëror i një shekulli që bëri dy luftëra globale dhe nuk konsolidoi asnjë ideal për të qenë, apo ky mjedis i mjerë, që nuk e kuptoj se çfarë e ka krijuar?!

Vetëtimthi më vijnë në mendje "receptime" të ngjashme të artit në "skenat e shenjta" shqiptare. Aktori G. Radoja në një rol heroik në skenën e teatrit "A. Moisiu" në Durrës disa vite më parë, një turmë djemsh spektatorë që protestojnë në grup kundër solemnitetit të rolit e të vetë dramës, kundër autorit dhe aktorit: "Mjaft, de, mjaft, se na mallëngjeve!" Dhe aktori i ngratë që, pas ndërhyrjes së dytë a të tretë të spektatorëve refuzues, detyrohet të dalë nga doli, t‘i afrohet ballit të skenës dhe t‘u thotë djemve tërësisht i dorëzuar: "O çuna, do të më lini ta mbaroj këtë punë apo jo?!" Po, ajo tashmë ishte thjesht punë, jo art. Dëshpërimi mbetej fatalisht përtej siparit. Këndej s‘ka kush dëshpërohet. S‘ka të tillë të aftë për të përjetuar një dramë. Të tillë që mund të trishtohen me zonjën Shnajder. Me një rol heroik. Me Hamletin, me Faustin, me Orestin vetë!

Studenti shqiptar është urdhëruar të shuajë çdo lidhje dashurie me vajzën çeke. Së shpejti ai do ta lërë Pragën. Ashtu është urdhri. Ai nuk e di se çfarë do të bëjë në Shqipëri. Gjithë dhimbja e botës ka rënë mbi të. Eshtë një dhimbje që rëndoi mbi supet e një brezi të tërë. Kufiri i ndarjes qe shumë më i madh se muri i Berlinit. Sa perde të hekurta u ngritën midis njerëzve dhe botëve! Ishte një dhimbje e denjë. Kam dëgjuar për dhjetëra raste njerëzish të botës publike të kohës së dikurshme, shkencëtarë, artistë, dijetarë, që shkonin në veprimtari ndërkombëtare vetëm që të shiheshin edhe një herë sy më sy me të dashurat dhe të dashurit e tyre. A mund ta fyesh ashtu çnjerëzisht ndjenjën e tyre?

Eh, ç‘ndodh në këtë vend! Ja ku më kujtohet se sa vrazhdë çshenjtohet skena e së lartës botë të artit me një krrap-krrup aty prapa, po ca më shumë me talljen e atij vështruesi të paaftë për të përjetuar një realitet tjetër. Në teatrin "P. Marko" të Vlorës, këngëtari K. Dushi u paraqet artdashësve vlonjatë repertorin e vet aq të pasur. Dhe ja ku vjen radha e këngës: "Eshtë një vajzë që e dua shumë". Një kor djemsh, që nga ndenjëset e shkallëve të teatrit përgjigjet me zë të fortë: "Mos e merr o Kovi, e kam pasur unë!" Dhe përsëri artisti i shkretë, emocioni i të cilit nuk përcillet dot atje, ku njerëzit kanë hyrë me biletë: "O çuna, do ta lini babushin ta përfundojë?!"

Më duket sikur i kam rreth e përqark ata "çunat" harbutë të skenave të larta shqiptare, për të cilat kam dëgjuar aq shumë. Ǒka kjo zonja Shnajder për t‘u trishtuar? Të trishtohesh për një grua që qëndis në gjergjef duke menduar të shkuarën e vet. Dhe ky tjetri, që pikëllohet për një vajzë çeke që s‘do ta ketë! Më duket sikur do të çmendem. A ka njeri këtu që mund të ndajë pakëz me mua pikëllimin e zonjës Shnajder, që mund ta kuptojë se këtu nuk është një grua e vetmuar që qahet për fatin e vet, por është një shekull që sheh në pasqyrë vetveten dhe bën pyetjen ontologjike: Pse ishim në këtë jetë?

Më vijnë ndërmend diskutimet aq të përflakura për romanin "Dimri i vetmisë së madhe", në mesin e viteve 1970. Kam pasur rast ta shfletoj koleksionin e "Studentit" dhe të "Zërit të rinisë" të atyre viteve për një qëllim tjetër, për përgatitjen e dokumentarit për Festivalin e 11-të. Pse ndahet Zana me Besnikun? Ata nuk duhet të ndahen. Autori ka gabuar rëndë që Zanën e hedh në krahët e Markut. Kjo nuk është pamja e vërtetë e familjes së shëndetshme socialiste. Si mundet që Zana t‘i dorëzohet një të deklasuari?! Dhe shkrimtari I. Kadare, tërësisht i lëshuar në dëshpërim, sepse trishtimi i tij ka mbetur andej perdes, andej kufirit, andej lirisë së kufizuar; sepse trishtimin e tij s‘ka kush ta presë, që, në përgjigje të gazetarit, thotë: "Nëse fati i romanit tim varet nga ndarja ose jo e Besnikut me Zanën, kjo është shumë e dhimbshme për veprën time". Në fakt dhimbja është tjetërkund. Trishtimi mbeti andej. Ashtu si dhe trishtimi i zonjës Shnajder dhe i regjisorit Milkani, i komisar Katanit në një rol të ri. Nuk është faji i veprës. Eshtë shpirti i mpirë i atyre që receptojnë. Një mur i betontë që i ndan ata nga kjo botë e lartë arti e kthen trishtimin në parodi, dhimbjen në krrap-krrup.

Nuk e di se çfarë do të shkruajnë kritikët. Por në mendjen time vërtitet një pyetje e frikshme. Ǒështë një njeri i paaftë për të përjetuar një trishtim, një dhimbje, një dramë? Ǒështë kjo zonja me liri të bollshme në dekolte, me vargonj të artë e të argjendtë në qafë, në duar, madje dhe në bel? Këta njerëz që kujtojnë se gjithë pikëllimi i filmit është fustani me topa, një dashuri e shpejtë dhe gota e birrës e një vejushe? Paaftësia për të shijuar realitetin e skenës së lartë është dënim i vetvetes për të mos u fisnikëruar. Grekët e lashtë shpikën tragjedinë, që me anë të frikës dhe emocionit të dëbonin djallin brenda njeriut. E quajtën katarsis. Katarsis thonë dhe tani, madje dikur qe slogan politik. Po si mund të ketë katarsis brenda një qenieje që nuk di të lexojë trishtimin?

Në konventën e OKB-së për të drejtat e njeriut flitet për përkufizimin juridik të nocionit të skllavërisë. Jo për nevoja të studimit të historisë së njerëzimit. OKB-ja harton akte për të gjykuar realitetet që zhvillohen sot. Që do të thotë se njerëzimi ende nuk e ka kaluar përfundimisht skllavërinë. Skllavëria ndihet edhe brenda "Trishtimit të zonjës Shnajder". Në një kuptim, skllavëria është liria e munguar, që vjen në formën e një direktive për të lënë të dashurat e huaja, në emër të një urdhri për të harruar ëndrrat me skena dhe kryeqytete të mëdha, në formën e ndalimit në përgjithësi. Ndalohet deri në moshën 21 vjeç. Qëndro brenda rrethit të unazës. Ndalohet ta marrësh seriozisht skenën dhe artin. T‘u mbyllet goja të pabindurve. Stop! Ndalohet! Këtu është kufiri. No entry! No visa! Not allowed! Njerëzimi gjithnjë është gjendur përballë ndalimit. Tashmë filmi ka mbaruar. Por "The show must go on!" S‘qe gjë! Ǒishte ky pikëllim për një grua të re dhe një çunak?!

Kërkoj njeriun midis turmës së zhurmshme që tashmë po del nga porta drejt lulishtes, përballë "Pallatit mbretëror". E kërkoj dhe brenda vetes. S‘kam kujt t‘ia shfryj veç motrës sime të vogël. Ajo më dëgjon me sytë hapur. Ua! Si paskan qenë bashkë dhimbja e një gruaje, zhgënjimi i një brezi, trishtimi i një kohe, dëshpërimi i një shekulli, pikëpyetja mbi vlerën e jetës dhe besimin te njeriu? Si paskan qenë bashkë ndarja, perdet e hekurta, zinxhirët e florinjtë, liria e kufizuar e njerëzimit dhe skllavëria moderne? Po, në fakt ashtu ishin dhe janë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›