E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaksina e meningjitit, muaji mars afati i fundit i premtimit

Tradita e vaksinimit të plotë të popullatës tonë tashmë nuk është më problem. Vitin e kaluar është vaksinuar 98 për qind e popullatës dhe vetëm 2% ka mbetur jashtë procesit. Problem, sipas Autoritetit Shëndetësor Rajonal, mbetet puna me vështirësi e mjekëve pas lëvizjeve të mëdha demografike. Ndërsa vaksina e meningjitit ende nuk është bërë pjesë e kalendarit tonë të vaksinimit. Kreu i ASHR-së thotë se aktualisht kjo vaksinë mund të gjendet në privat, por nuk është vetëm Shqipëria që nuk e ka përfshirë në listën e vaksinimit mbrojtjen ndaj meningjitit.

"Në kalendarin tonë të vaksinimit nuk e kemi këtë vaksinë dhe jo vetëm ne, por edhe vendet e rajonit dhe një pjesë e mirë e vendeve të BE-së. Është një vaksinë e kushtueshme. Pa dyshim gjendet në tregun privat, sepse ne sot kemi një ekonomi tregu të lirë dhe mund të sigurohet, por kushton", sqaron kreu i ASHR-së, Mhill Gecaj. Sipas tij, ky autoritet tashmë ka marrë vaksinat e gripit për të gjithë punonjësit e shëndetësisë dhe është kryer shpërndarja. "Para pak kohësh ne u përballëm me disa raste të meningjitit, raste këto të shpërndara në zona të ndryshme të vendit dhe dua të sqaroj se nuk mund të quhet epidemi se patëm pesë, gjashtë apo dhjetë raste me meningjit", thekson kreu i ASHR-së. Sipas tij, çështja u bë panik duke marrë shkas nga disa raste që u konstatuan në Itali, ku pati edhe vdekje nga kjo sëmundje. Në lidhje me vaksinimin, ai pohon se tashmë Shqipëria ka një traditë dhe kulturë të mirë. "Kemi një kalendar vaksinimi të miratuar edhe nga OBSH dhe në kryeqytet mbulimi i popullatës me vaksinë është 98 për qind, me gjithë vështirësinë e madhe edhe si pasojë e lëvizjes demografike të qytetarëve, kjo ndiqet me rigorozitet të plotë nga ana e DSHP-së dhe në bashkëpunim me qendrat shëndetësore", thotë Gecaj. Pjesa e 2% që nuk arrin të vaksinohet janë kryesisht komuniteti rom, i cili një pjesë të mirë të popullatës nuk e ka të regjistruar në qendrat e banimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›