A do të jetë Teksasi sprova e fundit e Hillarisë?
Teksasi supozohej të ishte një bastion i Hillari Klintonit në betejën për nominimin demokrat në garën presidenciale. Por, tani ai rrezikon të shndërrohet në Alamo-n e saj. Kryesimi i theksuar i saj në sondazhe është zhdukur dhe ekspertët thonë se gjithnjë e më shumë kjo sfidë e radhës po ngjason me përballjen e fundit të saj me Barak Obamën. Në një nga betejat më të famshme në historinë amerikane, luftëtarët teksanë të pavarësisë u përpoqën të ndalnin ushtrinë meksikane në Alamo, në 1836-ën, por ata u zmbrapsën nga një forcë më e madhe. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për ushtarë, por për valën Obama, që kërcënon të bëjë të njëjtën gjë edhe me aspiratat presidenciale të saj. Pas 11 fitoresh radhazi, Obama, senatori i Illinoisit, po kryeson në sondazhet për sfidën e Teksasit, duke siguruar madje një diferencë pothuajse sa dyfishi i asaj që vetë Klinton mbante një muaj më parë. Një sondazh i fundit, i kryer nga "Reuters", i jep Obamës një kryesim prej 45 për qindësh kundrejt 43 përqindëve të Klintonit. Sondazhi ka një shkallë gabimi prej +,- 4 për qindësh. Teksasi dhe Ohajo do të votojnë të martën në zgjedhjet paraprake që senatorja e Nju Jorkut duhet t‘i fitojë domosdoshmërish nëse do të vazhdojë garën. "Është sprova e fundit për Hillarinë dhe duket se suksesi do të mungojë", thotë Metju Uillson, një analist politik në Universitetin e Dallasit. "Në këtë pikë, Obama nuk mund të bëjë asnjë gabim. Ai ka bërë një performancë të shkëlqyer deri më tani dhe nuk ka shenja se mund të dorëzohet pikërisht tani". Teksasi, shteti fqinj i Arkansasit, ku ish-Presidenti Bill Klinton ka qenë guvernator për shumë vite, supozohej më herët të votonte për senatoren e Nju Jorkut. Klintonët kanë pasur lidhje të ngushta me demokratët e Teksasit, që nga fushata presidenciale e 1972-shit, me kandidatin e atëhershëm Xhorxh MekGovern, e njëkohësisht kanë edhe lidhje historike me zgjedhësit latinë dhe ata me ngjyrë. Por, Obama duket se ka bërë për vete edhe një pjesë të madhe të mbështetësve të Klintonëve, duke përçarë zgjedhësit e bardhë e duke fituar gjithnjë e më shumë mbështetjen e atyre me ngjyrë. Klinton tani i ka varur shpresat e saj kryesisht te zgjedhësit latinë. Këta të fundit, sipas disa përllogaritjeve, përbëjnë rreth 20 për qind apo edhe më shumë të zgjedhësve të regjistruar në Teksas. 12 për qind janë zgjedhësit me ngjyrë dhe 66 për qind të bardhët. Sipas një sondazhi të zhvilluar në datat 18-24 shkurt, latinët preferojnë Klintonin kundrejt Obamës, në raportin 62 me 22 për qind. Por, një tjetër sondazh i kryer më vonë zbulon se mbështetja mes latinëve për Klintonin ka rënë në 55 për qind, ndërsa për Obamën ka shkuar në 33 për qind.
Ai që e ka ndihmuar Obamën "të rrëmbejë" mbështetjen e latinëve të Teksasit ishte senatori Eduard Kenedi, i Masaçusetsit, që këndoi një këngë në spanjisht, në një miting në Laredo. Por, familja Klinton, përfshirë edhe vajzën Çelsi, po punojnë shumë për mbajtjen "mbërthyer" të zgjedhësve latinë. Pritet në këtë shtet një dalje masive në zgjedhje, ndërkohë që autoritetet kanë marrë masat e sigurisë në të gjitha qendrat, pikërisht për shkak të radhëve të gjata që mendohet të krijohen. Në kampin republikan gjithçka duket e përcaktuar tashmë me Xhon MekKejnin që po ecën i sigurt drejt nominimit. Ndërkohë, ka edhe nga ata teksanë që thonë se do të votojnë për Obamën thjesht për faktin se duan ta mbajnë Hillari Klintonin larg Shtëpisë së Bardhë.