Rusi, vigjilje elektorale pa shumë pikëpyetje
Liberalët rusë, në prag të zgjedhjeve presidenciale që janë të destinuara të fitohen nga kandidati i përzgjedhur prej Vladimir Putinit, akuzuan Kremlinin të shtunën se po orkestronte një farsë. Nuk është lejuar propaganda elektorale në ditën zyrtare të heshtjes zgjedhore në 11 zonat orare të Rusisë, pas javësh të tëra fushate të larmishme që ka ngjallur pak interes mes 109 milionë zgjedhësve të regjistruar në Rusi. Por, politikanët e opozitës bënë edhe një protestë përfundimtare para zgjedhjeve të së dielës, të cilat, dihet fare mirë se do të kurorëzojnë si President të vendit zëvendëskryeministrin Dimitri Medvedev, që gëzon mbështetjen e Putinit dhe që ka pasur hapësirë pa fund në televizionet ruse. E vetmja pikëpyetje e zgjedhjeve të sotme është përqindja me të cilën Medvedev do të fitojë. Putin në fakt e ka udhëhequr Rusinë drejt bumit më të gjatë ekonomik në një gjeneratë të tërë dhe shumë njerëz shpresojnë për një partnership të ardhshëm mes Medvedevit dhe padronit të tij, që pritet të bëhet Kryeministër, si një mënyrë kjo për të ruajtur stabilitetin. Kritikët e Putinit, jo vetëm liberalët, por edhe ata më pak të zëshmit, komunistët, akuzojnë Kremlinin se ka kufizuar rivalët dhe se ka detyruar miliona punonjësit e administratës shtetërore të votojnë, përndryshe ata kanë marrë kërcënime se do të humbasin vendet e punës. Shumë vëzhgues perëndimorë kanë refuzuar të monitorojnë zgjedhjet, duke cituar mungesën e bashkëpunimit nga autoritetet ruse. Ish-kampioni botëror i shahut dhe një figurë kryesore e opozitës ruse, Geri Kasparov, bashkë me aleatët, i ka dorëzuar një peticion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e quajtur procesin një farsë. "Është shumë i rëndësishëm fakti që ende ka njerëz që besojnë se këto zgjedhje janë thjesht një farsë", thotë Nikita Belikh, një lider i opozitës. "Ne nuk mendojmë se kjo që po ndodh në vendin tonë mund të quhet zgjedhje", tha ai para gazetarëve. Por, një dalje e ulët në votime do të zbehte disi fitoren e padiskutueshme të Medvedevit dhe zyrtarët rusë, përfshirë edhe Putinin, kanë bërë apele të njëpasnjëshme në një përpjekje për të "zgjuar" zgjedhësit apatikë. Analistët thonë se Kremlini dëshiron të sigurojë një pjesëmarrje jo më të vogël se 70 për qind në këto zgjedhje. Operatorët e telefonisë celulare kanë dërguar pa pushim mesazhe, ku u kërkohet zgjedhësve të votojnë. Postera dhe reklama pafund janë vendosur nëpër rrugë, ndërkohë që shpërndahen ngado fletëpalosje, ku u kujtohet rusëve të shkojnë të votojnë. Putin, një ish-spiun i KGB-së, që duhet të tërhiqet pasi ka kryer dy mandate të plota radhazi, mbështeti Medvedevin, ish-avokatin nga i njëjti qytet me të, nga Shën Petërsburgu, dhjetorin e shkuar, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë paqartësie në lidhje me pasuesin e tij në Kremlin. 55-vjeçari Putin, gjithsesi, pritet të jetë personi që do të ketë në duar levat e pushtetit, pavarësisht se do të shërbejë si Kryeministër në administratën e Medvedevit. Kandidatët e opozitës janë skualifikuar, ndërkohë që më herët kanë refuzuar të marrin pjesë në garë në shenjë proteste. Rivalët e Medvedevit janë: lideri i Partisë Komuniste, Genadi Zhuganov; nacionalisti pro-Kremlinit, Vladimir Zhirinovski dhe Andrei Bogdanov, një politikan pak i njohur.