Mrekullia e Butanit
Udhëtoj nëpër Himalajë që fëmijë dhe kam parë se si terrenet e mrekullueshme shkatërrohen nga udhëtarë, turistët e pakujdesshëm dhe politikanët e korruptuar vendas. Kam parë Nepalin të bjerë në kaos, teksa maoistët shtinë në dorë pushtetin pas masakrimit të familjes mbretërore në vitin 2001. Kam kaluar tre muaj duke shkruar një libër në Tibet, ndoshta vendi më i përgjunjur i Azisë, një shoqëri e rrënuar nga versioni komunist i progresit. Kisha lexuar për Butanin, por nuk kisha qenë kurrë vetë aty. Kisha dëgjuar mbi këmbënguljen për të ruajtur kulturën e veçantë dhe identitetin budist tibetian kundër çdo rreziku, kam mësuar se mbreti më shumë se sa për Prodhimin e Brendshëm Bruto shqetësohet për Lumturinë e Brendshme Bruto. Dhe vërtet, Butani duket se është diçka e rrallë - një eksperiment shoqëror, që ka dhënë rezultate.
Dinastia Druk Gualpo apo e mbretit Dragon, mbretëron në Butan që nga viti 1907. Mbreti 52-vjeçar, Jigme Singie Uangçuk, abdikoi vitin që shkoi për t‘i hapur rrugën drejt fronit të birit, i cili tani është edhe kreu i shtetit më i ri në të gjithë botën. Ish-mbreti, i cili e trashëgoi fronin në moshën 16-vjeçare, është njeri mjaft vizionar. Është shkolluar në Angli dhe është martuar me katër motra. Në një kohë kur trevat fqinje himalajase janë bërë pre e turistëve që shkonin aty për të shpenzuar sa më pak para, mbreti u përqendrua te politika e turizmit, "volum i vogël me vlerë të madhe", duke bërë që çdo vizitor të paguajë një taksë ditore prej 200 dollarësh. Duhanpirja është e ndaluar.
Nuk lejon që në vend të ndërtohen godina të stilit perëndimor. Nuk lejon prerjen e pemëve dhe pranon në vend vetëm teknologji që i përshtaten ambientit të vendit. U ka dhënë rëndësi të veçantë skemave të prodhimit të energjisë elektrike përmes hidrocentraleve të vegjël, gjë që i sjell vendit të ardhura të konsiderueshme, duke qenë se një pjesë e mirë e saj i shitet Indisë. Dikur ka thënë: "Për ne uji është siç është nafta për arabët".
Mbreti i ri i Butanit, Jigme Khesar Uangçuk, është mjaft popullor, por nuk është vënë ende në provë. Para pak javësh festoi 28-vjetorin e lindjes dhe është rritur në kryeqytetin e vendit Timpu, me shumë vëllezër e gjysmëvëllezër përreth, teksa secila nga mbretëreshat jeton në banesa të veçuara. Poligamia është diçka që ndeshet rrallë në Butan dhe vendimi i të atit për t‘u martuar me të motrat duket se ka qenë i karakterit dinastik. Jigme Khesar ka studiuar në Oksford në Programin e Shërbimit të Huaj, një kurs për diplomatë të rinj dhe trashëgimtarët e dinastive mbretërore. Është ende i pamartuar.
Nëpër mbretëri shpesh udhëton më këmbë. Lëvizja e parë në rolin e mbretit ishte nënshkrimi i një traktati miqësie me Indinë, i cili për herë të parë i jep Butanit sovranitet të plotë. Negociatat qenë nisur prej kohësh nga i ati dhe mund të konsiderohet një veprim mbresëlënës diplomatik: India është e njohur për ashpërsinë që tregon ndaj fqinjëve, por në këtë rast pranoi të hiqte dorë nga kontrolli mbi vendin për hir të përmirësimit të raporteve ndërkombëtare.
Përpara se të abdikonte, mbreti vendosi se kishte ardhur çasti jo vetëm për ngjitjen në fron të një monarku të ri, por edhe për demokracinë e Kushtetutën. Shpejt në vend do të mbahen zgjedhjet e para të përgjithshme, që do zhvillohen nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve. Se si do të funksionojë sistemi i ri dhe si do ndërveprojnë qeveria, mbreti i ri dhe ai i vjetri nuk mund të thuhet me saktësi. Po a e duan banorët e Butanit demokracinë? Po të gjykosh nga fjalët që thonë banorët e fshatit të largët Pombesa, përgjigjja është jo.
Udhërrëfyesi im, Sangai, më shpuri përtej zonave ku mund të shkojnë turistët (ku vërejta se mbulimi i rrjetit celular është shumë më i mirë se në zona të ngjashme të Britanisë). Sangai, të cilit i pëlqen së tepërmi çiklizmi, kishte qenë edhe më parë në këtë fshat. Sipas traditës, u ofron banorëve arra beteli (një lloj arre që rritet në atë zonë), ndërsa ata i ofrojnë çaj. Si edhe shumë butanezë të tjerë, i kanë dhëmbët e kuq për shkak të kësaj arre. Ulemi në një dhomë të rrethuar nga një familje e madhe.
Gjyshja, Tandin Uangmo, këmbëzbathur, me mantelin karakteristik që mbahet me kapëse metalike në njërin sup, është e pasigurt për zgjedhjet. Fshatarët kishin qenë në qendrën administrative të zonës dhe kishin parë pajisjet e votimit elektronik. "Di si ta shtyp makinën, por nuk arrij të mbaj mend partitë politike", thotë. "E dua shumë mbretin. Jetojmë shumë mirë dhe nuk na mungon asgjë, ndërsa politikanët gjithnjë krijojnë shqetësime".
Mbesa e saj, Kunlei Uangmo, është edhe më e prerë. "Në Indi shpërthejnë bomba e vriten njerëz për shkak të demokracisë".
Një ditë kisha drekuar me Pema-n, një akademik vendas, që ka studiuar në Oksford dhe i njeh mirë vendet fqinje, si India e Tibeti. Pema është për demokracinë, por mendon se rregullat e sistemit të ri nuk janë studiuar me kujdesin e duhur. Kandidatët duhet të kenë diplomë universitare, por shumica e popullsisë mbi moshën 30-vjeçare nuk ka pasur kurrë mundësi të tilla shkollimi. Pleqtë e fshatrave, që në të shkuarën kanë luajtur rol qendror në paraqitjen e problemeve lokale përpara mbretit, nuk mund të zgjidhen. Shumica e njerëzve që kandidojnë për Dhomën e Lartë të Parlamentit, që do përbëhet nga 20 vetë, kanë studiuar nëpër universitete indiane. Murgjit dhe klerikët budistë, tradicionalisht shumë të rëndësishëm në jetën publike të vendit, as që do të lejohen të votojnë. Akademiku mendon se përpjekjet për të modernizuar vendin rrezikojnë të përjashtojnë nga jeta publike një shtresë të madhe njerëzish, që kanë ende shumë për të ofruar.
Kur u shfaq për herë të parë ideja e demokracisë, rezultoi e vështirë bindja e njerëzve për t‘u përfshirë nëpër parti politike. Tani janë krijuar dy forca politike. Por së fundmi në Butan plasën bomba, me shumë gjasa prej dorës së maoistëve nga Nepali, që mendojnë se pakicat nepaleze në Butan përballen me diskriminime. Për pjesën dërrmuese të butanezëve, të cilët ushqejnë respekt dhe jo frikë ndaj autoritetit të mbretit, të gjitha këto zhvillime politike janë emocionuese, por njëherësh edhe shkurajuese, tregojnë një grimë të asaj që mund të ndodhë më pas.
Në Butan të zë syri shumë pak turistë dhe priren të jenë të pasur e të kenë krijuar lidhje të forta me këtë vend. U vendosa në "Uma Paro", një hotel elegant i ngritur përkrah një kodre. Më morën gabimisht për kryeredaktorin e "The Daily Telegraph" dhe m‘u ofrua trajtim i veçantë. Edhe diçka e veçantë. Në shtratin tim vetëm pak kohë më parë kishte fjetur Kiera Knaitli.
Rreth një e treta e popullsisë jeton në kufirin e varfërisë: më së shumti punojnë në agrikulturë. U larguam nga hoteli dhe përgjatë udhëtimit iu afruam një grupi punëtorësh rrugësh. Vijnë nga Bengali perëndimor dhe nga zonat fqinje të Indisë, më të varfrat e të varfrave. Kanë ardhur këtu për të bërë një punë që butanezët nuk duan ta bëjnë. Më treguan se bënte ftohtë, por u qenë krijuar kushte jetese shumë më të mira se në Indi.
Në Doçu La, një shteg mes dy malesh që shtrihet mes Butanit e Tibetit, ajri ishte i ftohtë. Vargje flamujsh shumëngjyrësh lëkundeshin në erë. Në atë vend ngrihen 108 monumente në kujtim të të vrarëve gjatë përpjekjeve mes Ushtrisë Mbretërore të Butanit dhe grupeve rebele indiane në vitin 2004, një çast mjaft delikat në historinë e vendit.
Pas kësaj zbritëm përgjatë një faqe kodre për t‘u ndeshur në një hotel, që dikur kishte shtëpi fermerësh. Të gjitha dhomat janë rregulluar me madhështi. Takoj kryekuzhinierin, një djalë i ri nga Detroiti. Si ka mundësi që ka përfunduar në një prej zonave më të largëta, në një prej vendeve më të largëta?
Punoja në një hotel të madh në Las Vegas. Shoku i dhomës, Morgani, më pyeti nëse donte të shkoja bashkë me të në Butan. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë të flitej për këtë vend, por, gjithsesi, pranova. I thashë vetes, të jetë ç‘të jetë dhe pas 17 ditësh gjendesha këtu. Por a është në gjendje të gatuajë ato ushqime që është mësuar të gatuajë zakonisht? "Je i detyruar të punosh me produktet që arrin të gjesh këtu. Mund edhe të porosisësh gjëra nga jashtë, por nuk është zgjidhje e mirë. Sot në mëngjes më trokiti në derë një burrë me pesë kilogramë kërpudha të një lloji shumë të rrallë. I pagova 10 dollarë kilogramin. Në Amerikë kushtojnë të paktën 140 dollarë për kilogram".
E pyeta Robin nëse vizitorët e hotelit e kuptonin sa e vështirë ishte përmbushja e kërkesave të tyre. "Më të shumtit e kuptojnë. Edhe përpara se të vija këtu më kishin treguar se do hasja në shumë vështirësi të këtij lloji. Kur në Azi ra gripi i shpendëve mbetëm pa vezë, pasi nuk arrinim të importonim më nga India, ndërkohë që nuk gjendeshin në tregun lokal. Kështu që i hipa xhipit bashkë me vajzat që më ndihmojnë në kuzhinë. Silleshim rrugëve dhe vajzat thërrisnin: ‘A ka njeri vezë për të shitur? - A ka njeri vezë për të shitur?‘ Për katër orë arritëm të gjejmë vetëm 18 vezë".
Në pjesën e pasme të hotelit, ku zakonisht gjenden ata njerëz që e bëjnë të funksionojë kaq lehtë, dëgjova bisedën në anglisht të dy udhërrëfyesve. "I shpura te tempulli i pjellshmërisë dhe gruaja përsëriste ‘Mosy buko, mosy buko‘", tha i pari. "Është frëngjisht", i shpjegoi tjetri më i përgatitur. "Do të thotë faleminderit shumë".
Më pas, gjatë rrugës për në Timpu, hasa në një tjetër ndërveprim kulturash. Takuam Xhonatan Xherris, një "artist interneti" me një krifë flokësh të verdhë, që po udhëton përgjatë gjithë botës duke shpenzuar paratë e veta e kohën e të tjerëve. I ka hyrë një projekti për matjen e lumturisë, një nga pikat e të cilit është anketimi i butanezëve me pyetje të tillë se sa i lumtur je në një shkallë nga njëshi te dhjeta. Më pas u jepej në dorë numri përkatës i tullumbaceve (u lejohej t‘i zgjidhnin vetë ngjyrat) dhe u thuhej t‘i mbanin në dorë e të buzëqeshnin teksa Xhonatani i nxirrte në fotografi. Pikturat në fund do të vendosen në sitin e tij në internet.
Një burrë i moshuar me kapele bejsbolli në kokë mbante tre tullumbace në dorë, teksa Xhonatan i mbante pranë gojës mikrofonin në atë mënyrë siç veprojnë reporterët e luftërave. "Më thuaj cila është dëshira më e madhe që ke në jetë", i tha përmes përkthyesit. "Ǒdo kishe bërë po të të bënin mbret për një ditë"? - më në fund erdhi edhe përgjigjja: "Vetëm Madhëria e Tij mund të jetë Mbret".
Timpu është kryeqytet shumë i vogël, i shtrirë në luginën e një lumi i rrethuar nga kodra të mbuluara nga gjelbërimi. I ka dyfishuar përmasat gjatë katër viteve të fundit dhe tani numëron 90 mijë banorë. Që të gjitha ndërtesat janë tradicionale. Si edhe Butani, Timpu është viktimë e suksesit të vet. Janë shfaqur adoleshentët dhe drogat, që fundjavave nuk i mbajnë më veshjet tradicionale kombëtare.
Shohin filma indianë në vend që t‘i kushtohen gjuajtjes me hark, sportit kombëtar butanez. Në ditën e lindjes së mbretit, vitin që shkoi, u kapën edhe disa të rinj që vidhnin xhepat e festuesve. Tani, që shumë butanezë janë shkolluar dhe flasin një anglishte po aq të rrjedhshme sa edhe gjuhën e tyre, është rritur edhe kërkesa për ato profesione që deri dje haseshin shumë rrallë.
Por sido që të shpaloset demokracia në Butan, pajtimi i së vjetrës me të renë nuk do të jetë aspak i lehtë. Që të gjitha vendet e Azisë përballen me këtë problem: si të bëjnë përpara teksa ruajnë traditat dhe vlerat që krijojnë identitetet kombëtare, si të përqafohen të mirat që sjell globalizmi dhe modernizmi, duke shmangur tiparet e rrezikshme që bartin me vete. Teksa ekonomia botërore shkruhet dhe planeti ngrohet më tej, izolimi duket se nuk përbën më një opsion të mundshëm.
Vendimi i mbretit për të futur demokracinë përpara se këtë ta kërkojnë banorët ndoshta është i mençur, shembull i aftësive të tij për të paraprirë një problem global. Arritjet e vendit të tij bëhen edhe më të dukshme kur krahasohen me dështimet e vendeve fqinje, por u largova nga Butani jo shumë optimist dhe me ndjesinë se ato arritje qenë të brishta dhe se mund të zhbëhen lehtë nga shfaqja në skenë e ambicieve politike.