E Diel, 1 Nëntor 2026

VITI 1554, Cikli i diellit 12, cikli i hënës 3

Fshati Selcan. Pastaj Valshi. Shtëpitë karakteristike. Rrënoja të vjetra. Janë gjurmët e një qytetërimi të hershëm. Një qytezë ilire e shekullit IV. Ecim mes rrënojave dhe kërkojmë, kërkojmë gjurmët e një kulture të vjetër. Shenjat e këtij qytetërimi të lashtë. Shfletojmë libra, harta, gravura.

1.

O Zot ndjemë dhe mëshiromë mua, të paditurin, guximtar i padenjë për të realizuar trishtueshëm dhe pa fantazi hyjnore diçka të thjeshtë dhe të papërfillshme për piktor ONUFRIN, duke ravijëzuar diçka, që vetëm mund t‘i afrohet trishtueshëm së vërtetës, por që mund të jetë gjithsesi tërë e Vërteta. Është më e ndërlikuar të flasësh për të thjeshtën, për atë që ka qenë dhe është më e lehtë të flasësh për të ndërlikuarën, për atë si duhet të ketë qenë. Ky është paradoksi midis realitetit dhe përfytyrimit. Në këto dy skaje shndërrit përralla pikturike e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme e Onufrit.

Ndjemë o Zot dhe qofsh Ti, i ndërmjetmi i madh midis meje dhe Onufrit, për të larguar çdo sherr dhe moskuptim midis nesh, çdo mospërputhje që pati është e pashmangshme, kokëfortë dhe absolute.

Pengu i anonimatit për Onufrin nuk është i papërfillshëm: katër shekuj. Gjatë kësaj kohe anonimati pati të drejtat e tij mospërfillëse. Ishte një këputje e vrazhdë e shekullit të artistit me shekujt pasardhës.

Ka shumë arsye dhe shpjegime pse ndodhi kështu me Onufrin. Ai nuk është aspak i vetmi me një fat të tillë paradoksal. A s‘ka ndodhur kështu edhe me BUZUKUN?

Një vështrim më i përgjithshëm të rrënqeth: a s‘ka gllabëruar anonimati qytetërime të tëra të lashta?

Statujat e thyera arkeologjike nuk ruajnë emrin e krijuesve të tyre. Ato mbeten përfundimisht anonime.

Të mos harrojmë: Onufri është zbulimi i madh i kohës sonë.

Më 1908. Teodor Ipen, konsulli perandorak i Austro-Hungarisë në Shqipëri, boton studimin "KRAHINA E SHPATIT NË SHQIPËRINË E MESME" sipas vëzhgimeve të tij në këtë zonë. Në studim ai përshkruan me hollësi kishat në fshatrat e Shpatit e ndër të tjera edhe të Shelcanit dhe Valshit.

Konsulli austro-hungarez gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, përveç diplomacisë merret edhe me studimin e kishave të vjetra. Po në Shelcan dhe në Valsh ai nuk e zbuloi Onufrin.

Fotografi. Dokumente të një ekspedite shkencore, relike të vjetra. Skica, dorëshkrime. Kishat e Valshit dhe Shelcanit.

Ndoshta, për një rastësi krejt të pakuptimtë dhe të llahtarshme, unë kam lindur në qershor të vitit 1949, vit kur një ekspeditë shkencore kërkonte në malësitë e Shpatit dhe pikërisht në Shelcan dhe Valsh gjeti afresket e Onufrit, duke u mahnitur me një varrezë kaq shumëshekullore. Vetë Onufri ka lindur gjithashtu në qershor, më saktë më 12 qershor, sepse kjo është data në kalendarin e shenjtorëve për asketin princ dhe vegimtar. Shën Onufrin e Tebës së Egjiptit të shekullit IV. Sipas zakonit, apo ciklit ritual të pagëzimit të krishterë ortodoks, fëmija i lindur, ndoshta në fillim të shekullit XVII, është pagëzuar dhe për të respektuar 12 qershorin është zgjedhur emri i stërlargët i Shën Onufrit.

Anonimati u mund. Porta e mbyllur e enigmës së tij u hap. Duke publikuar këtë zbulim, Aleks Buda theksonte: "Kush njeh krahinën e Shpatit, nuk do ta besonte të ishte e mundur atje ekzistenca e një arti kaq të zhvilluar, siç është ai i piktorit ONUFRI". Shpati është krahina që ruan kryeveprat më të shumta të ONUFRIT. Shelcani dhe Valshi janë binomi i tij i pakrahasueshëm.

Kisha e Shelcanit. Afresket. Shën Onufri.

Në kishën e Shelcanit kam parë afreskun e Shën Onufrit, pikturuar nga piktor Onufri, me kuriozitetin titanik për të kuptuar mbase piktori ka ravijëzuar tiparet e tij te portreti; asketit të para dymbëdhjetë shekujve. Asketi Onufër jetoi në shpellë gati lakuriq dhe mjekra e tij arrinte në tokë e thinjur, kishte një madhështi të zymtë dhe lebetitje të shenjtë. Asketi Onufër zgjodhi palëvizshmërinë. Piktori Onufër zgjodhi lëvizshmërinë, odiseadën e tij të pikturimit të kishave në Ballkan e Shqipëri.
ANKETË

Berati. Shkëlqimi i arkitekturës së këtij qyteti. Mangalemi, labirintet e rrugicave. Monumenti i Onufrit në bronz në kështjellën e Beratit. Ecim nëpër rrugët e kalldrëmta. Kisha e Shën Todrit. Në muret e saj shtatë afreske të periudhës më të hershme. Lexojmë firmën e Onufrit.

Më vonë u zbuluan krijime të Onufrit edhe në dy monumente brenda Kështjellës së Beratit. Pikërisht në Berat zbulimi i të atit çoi edhe në zbulimin e të birit. Është fjala për piktor NIKOLLA I ONUFRIT. Këtë herë ishte arti që ndihmoi në pasurimin e biografisë së jetës vetjake të Onufrit. Afresket e kishës ku pikturoi NIKOLLA I ONUFRIT. Gjithashtu emri i Onufrit shërben si simbol ndërlidhës në historikun e pikturës mesjetare të piktorëve të tjerë të Shqipërisë si filli i Arianës në labirintin e kësaj trashëgimie të kuptimit e të lidhjes së etapave e të shkollave të saj.

Qyteti i Kosturit në Greqi. Kisha e Shën Apostujve. Afresket e saj të mrekullueshme. Lexojmë një mbishkrim "Bazilika u pikturua prej ONUFRIT të ardhur kohët e fundit nga qyteti i shumëshkëlqyer i Beratit". Viti 1547. Më 1938-ën një studiues grek, Orlando, boton një libër, ku përmend edhe pikturat murale me vlera të veçanta të një piktori me emrin Onufër në qytetin Kostur. Kush ishte ky Onufër? Pyetja është e menjëhershme e logjike. Orlando thotë se afresket e Onufrit kanë zbukuruar muret e brendshëm të një bazilike të vogël në një lagje të Kosturit. Gjithsej janë 31 afreske. Orlandoni shënon se në mes të murit verior ndodhet edhe mbishkrimi, ku ndër të tjera thuhet: "1547korri 23 u pikturua prej Onufrit të ardhur kohët e fundit nga qyteti i shumëshkëlqyer...

Orlandoni e lexon BENETION d.m.th. Venetik. Ai thekson se gati një shekull më parë një tjetër studiues i quajtur Kristidh e ka lexuar emrin e mësipërm GREBENION d.m.th. Grebeneja. Por Orlandoni thonë se leximi Grebenion është gabim. Ai argumenton se në Mesjetë qytet shumë i shkëlqyer ishte Venetiku dhe jo Grebeneja. Si argument më vendimtar ai ngre lart nivelin artistik të pikturave dhe konkludon se Onufri me siguri është ndikuar nga mënyra e teknikës perëndimore. Si qëndron e vërteta? Onufri i Kosturit është në mënyrë të padiskutueshme Onufri ynë. Zef Valentini thotë se emri i qytetit të shënuar nuk është BENETION, por Beration, pra është emri i qytetit shqiptar Berat. Por, identifikimi i Onufrit nuk mbështetet vetëm në saktësinë e leximit të emrit të qytetit të Beratit, por në krahasimin e pikturave të Kosturit me ato në Shqipëri. Megjithatë jemi ende larg, shumë larg zbulimit dhe njohjes së vërtetë të piktorit ONUFËR. Më 1547-ën, Onufri pikturon në Kostur. Këtu, në mbishkrimin e tij shënon se ka ardhur nga qyteti i shumëshkëlqyer, Berat. Konkretisht e quan qytetin shqiptar LLAMPRATAT POLI. Berati e meriton plotësisht epitetin. Nuk kemi të bëjmë me një lavdërim euforik. Berati është një metropol i arteve mesjetare. Në këtë qytet Onufri ka jetuar. Ndoshta edhe ka marrë mësimet e para. Në Kostur ai është mjeshtër i formuar. Padyshim është i famshëm dhe i preferuar edhe në vise të tjera larg Beratit.

Kosturi është qyteti ku Onufri bën afirmimin e dytë. Zërza e Prilepit në Maqedoni. Një fshat mes maleve. Kisha e Gjon Theologut. Ikonostasi i një mjeshtërie të rrallë. Ikonat e mrekullueshme. Më 19 qershor 1992 isha në Manastir, Maqedoni dhe bëra një vizitë në Metropoli. Hirësia e tij, Metropoliti Pjetër më çoi në katin e sipërm të Metropolisë për të parë një koleksion të veprave të artit kishtar. Befas pashë me sytë e mi dy ikona të mëdha të Onufrit. Njëra, Shën Mëria me Krishtin fëmijë dhe tjetra Krishti. Metropoliti Pjetër më informoi se ato i kishin sjellë në manastir para ca kohe nga një kishë e fshatit Toplicë e manastirit. Rëndësia e këtij zbulimi nuk kaloi pa jehonë.

Mustafa Ibrahimi ka gjetur të dhëna për vepra të tjera të Onufrit në fshatin Zërzë të Prilepit. Pikërisht në dy kisha, por pa na dhënë numrin e ikonave. Kisha i përket manastirit Zërze. Ndërtimi i kishës i takon viteve 1400. "Kisha e Shpërfytyrimit është ripikturuar në vitet 1535-1540 nga Onufri ynë.

Këtu shpaloset koleksioni i kompozimeve në afresk me pasionet e Krishtit. Disa nga këto subjekte nuk janë përsëritur më nga Onufri. Pra, viti 1535 saktëson përfundimisht se Onufri ndodhet në Prilep, ku punon pesë vjet rresht. Ky është momenti jetësor i tij. Kur lidhjet me Patrikanën e Ohrit forcohen derisa bëhen të karakterit zyrtar kishtar. Pas vitit 1540 duhet të ketë ardhur për të punuar në Berat. Nga një logjikë e hamendësuar mund të them se qëndrimi në Berat i Onufrit duhet të përfshijë harkun kohor 1540-1547. Tashmë ne e dimë me siguri se më 1547-ën Onufri ka punuar në Kostur, ku me krenari përmend se ka ardhur prej Beratit. Prej kohësh kam shprehur mendimin se mund të gjenden krijime të Onufrit në Italinë e Jugut. Jam nisur nga një logjikë e thjeshtë, meqenëse Onufri, siç e ka shkruar vetë në një mbishkrim të tij, ka qenë PROTOPAPË, titull ky i lartë intelektual fetar, ç‘ka tregon që në Patrikanën e Ohrit, e cila në shekullin XVI mbulonte në juridiksionin e saj tërë kishat ortodokse të Italisë së Jugut.

Onufri ka zhvilluar veprimtari dhe ka inspektuar jo vetëm kishat në Shqipëri, Maqedoni dhe Greqinë e Veriut, por edhe në jugun italian. Kështu, studiuese G. Ferrari boton më 1964-ën studimin "Greci e Albanesi in Calabria nei secoli XVI-XVII", duke treguar që piktorët shqiptarë kanë afreskuar dhe kanë dekoruar kishat në Kalabri. Më befasues është studiuesi M.S. Calo Mariani, i cili ndalet te një cikël ikonash që kanë figurën e Virgjëreshës. Në shkrimin "La vergine Odigitria di Torre Maggiore e la pittura postbizantina in Puglia", 1991 flet konkretisht për një ikonë të Shën Mërisë që ai e quan "la Madona del Rito" të realizuar prej piktorit Onufri. Ky studiues nuk e bën lidhjen e kësaj ikone të famshme me krijimtarinë e Onufrit të Shqipërisë. Kjo ikonë është botuar edhe në librin "Puglia e Albania". Në të njëjtin libër botojmë edhe një ikonë të Onufrit, që sot ndodhet në Berat po me figurën e Marisë. Vështrimi krahasimtar midis të dy ikonave bën të qartë faktin se ikona që ndodhet në Torre Maggiore të Puglias është vepër e të njëjtit ONUFËR. Kështu, emri i ndritur i Onufrit nuk shkëlqen vetëm në hinterlandin e Ballkanit, por edhe në Apenine. Këto pika dëshmojnë për aktivitetin e Onufrit brenda dhe jashtë vendit tonë. Në mbishkrimet e monumenteve të mësipërme spikasin datat e jetës së Onufrit. Janë dy data të shkruara prej vetë atij. Viti 1547 i Kosturit dhe viti 1554 i Valshit. Janë dy të njohura në ekuacionin me shumë të panjohura të jetës së piktorit. Këto dy data bazë vërtetojnë se Onufri ka lindur dhe ka jetuar në shekullin XVI. Po nga mbishkrimet e tij ne mësojmë edhe të dhëna të tjera plotësuese. Në të Kosturit theksonte se bazilika "u pikturua prej Onufrit të ardhur kohët e fundit nga qyteti i shumëshkëlqyer i Beratit. Epiteti superlativ për qytetin e njohur të Shqipërisë është certifikatë krenarie e mburrjeje, njëkohësisht na mëson për pikturat e Onufrit në Berat edhe përpara vitit 1547.

Në mbishkrimin e Valshit të vitit 1554 piktori nuk nënshkruan thjesht si piktor, si një njeri laik (si në rastet e mbishkrimeve të Kosturit, Beratit e Shelcanit), por si i përfshirë në hierarkinë kishtare si protopapë i Neokastrës. Ky titull i lartë u jepej klerikëve për merita të shquara intelektuale dhe flet për një periudhë të dytë të jetës së Onufrit. Protopapë është quajtur në shekullin XVIII edhe rektori i Akademisë së Re të Voskopojës, iluministi i ditur, Teodor Kavalioti (1718-1789). Një datë e tretë, që do të na ndihmonte në rikonstruktimin e jetës së Onufrit është ajo e mbishkrimit të të birit, më 1578-ën, i cili thekson se është Nikolla i Onufrit. Tërthorazi ky fakt le të kuptohet se Onufri më 1578-ën nuk jetonte më dhe se i biri vinte në shprehje të ruajtjes së kujtimit të tij, të famës, famë që e gëzonte që në të gjallë.

Sqarojmë se Onufri më 1578-ën nuk jetonte më. Kur ka lindur Onufri? Në mënyrë hamendësore mund të themi se ka shumë mundësi që Onufri të ketë lindur nga fundi i dekadës së parë ose në dekadën e dytë të shekullit XVI. Më 1547-ën ka qenë në moshë të rritur. Më 1554-ën ishte në moshë të pjekur ose të thyer. Në distancën 7-vjeçare në jetën e Onufrit ka dy ngjarje: ndërfutja me organizimin kishtar dhe martesa e tij.

Nuk e dimë sa fëmijë pati, ç‘u bënë pinjollët e kësaj familjeje... Dimë vetëm për birin më të shquar të Onufrit, Nikollën. Kjo do të thotë se pas 1554-ës, Onufri nuk do të ketë rrojtur shumë. Të gjitha këto janë hipoteza. Berati me shtëpitë e Mangalemit. Labirintet e rrugicave. Monumenti i tij në kala. Elbasani, lagjja brenda kalasë, kisha e vjetër e Shën Mërisë, Shelcani, Valshi.

Ku ka lindur Onufri? Cila është vendlindja e tij? Tradicionalisht nga disa studiues të nisur nga mbishkrimi i Valshit, ku Onufri e quan veten "piktor e protopapë të Neokastrës" (Elbasanit) pranohet se piktori është elbasanas. Ka shumë mundësi të jetë kështu. Ky mendim nuk hidhet pa argumente. Si shtesë plotësuese jepet fakti i pikturimit nga Onufri i bazilikave në dy fshatrat e Shpatit, krahinë e Elbasanit. Mbishkrimi më i hershëm i Onufrit, ai i Kosturit, flet për ardhjen e piktorit nga Berati. Pse ai thotë pikërisht nga Berati dhe nuk përmend qytet tjetër? Në Kostur, Onufri është larg trojeve të Shqipërisë së Mesme. Ky është fakti që shpjegon se piktori për të sqaruar e vënë në dukje identitetin e tij në mjedisin e huaj krenohet pikërisht me qytetin shqiptar të Beratit, për të cilin shprehet me një epitet poetik.

Mos Onufri ka qenë nga Berati? Kjo duhet dokumentuar. Vetëm një gjë është e sigurt: Berati ka qenë një qytet që Onufri e ka njohur mirë. Ka jetuar në të. Berati ka një peshë të veçantë në jetën dhe veprimtarinë e piktorit. Në shekullin XVI Berati ka qenë metropoli dhe qendra e madhe e artit mesjetar në Shqipëri. Aq sa shkolla artistike që krijon piktori do të klasifikohet nga studiuesit si "shkolla beratase". Ka një problem akoma të pastudiuar në Shqipëri. Por shkenca nuk mund ta mohojë apo të heshtë për këtë problem. Dihet që ikonat dhe dorëshkrimet e Kostandinopojës, filluan të mbarten dhe të largohen nga Kostandinopoja shumë më përpara se sa të pushtohej nga osmanët. Ka dokumente që flasin qartë për rafgimin e thesareve historike dhe liturgjikë të Bizantit drejt Ballkanit e sidomos drejt Italisë. Një nga këta njerëz, që e kanë realizuar këtë rol shpëtimtari të kulturës, ka qenë dhe i dituri BASARION. Problemi i hapur shkencor ka të bëjë jo vetëm me dorëshkrimet e lashta mesjetare të Shqipërisë, por edhe me atë koleksion ikonash që mund ta ketë origjinën pikërisht nga metropoli i Bizantit, Kostandinopoja. Është fakt që pas shekullit XV, Shqipëria përjeton një fuqizim të artit të shkëlqyer bizantin. Si shpjegohet kjo dukuri e pazakontë? Si mund të kuptohet fakti që një shekull më vonë, të formëzohet dhe të shkëlqejë Onufri dhe të tjerë piktorë bashkëkohorë të Shqipërisë? Shqipëria në shekullin XVI është krejtësisht e pushtuar. Por arti bizantin jo vetëm nuk ka vdekur, por në mënyrë disa herë të shpjegueshme ky art është ringjallur. Në shekullin XVI Shqipëria duhet të ketë qenë plot "substancë bizantine" të artit të ikonave dhe të dorëshkrimeve. Shqipëria brenda trupit të saj futi dhe ruajti shpirtin perandorak bizantin si asnjë vend tjetër në Ballkan. Ajo u bë shtëpi e thesareve të njerëzimit, më saktë e mrekullive të Bizantit. Në kisha jo të mëdha dhe më modeste të Shqipërisë, mund të zbuloje dorëshkrime nga më të rrallat në botë, mund të gjeje ikona madhështore dhe të papërsëritshme. Kjo dukuri duhet të hulumtohet, sepse në fund të fundit aty do të gjejmë edhe vetë kyçin e artë të enigmës së ONUFRIT.

Midis ikonave magjike, mes dorëshkrimeve impresionuese dhe të pavdekshme, piktorët shqiptarë u krijuan vetë si intelektualë të mëdhenj dhe u bënë kështu artistë të pavdekshëm. Kështu lindi ajo që quhet "Shkolla beratase". Onufri ka lindur në Shqipërinë e Mesme. Emri, datëlindja dhe jeta e tij qenë të lidhura me viset dhe hapësirën, me dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë së Mesme: me Elbasanin dhe Beratin. Onufri ka qenë jashtëzakonisht i ditur jo vetëm në njohjen e sekreteve të pikturës dhe të estetikës së stërholluar ikonografike, por dhe përgjithësisht në shkrimet biblike. Ai ka njohur shkëlqyeshëm personazhet biblikë, të cilët i ka pikturuar. Onufri hyri tek intelektualët e mëdhenj të kishës lindore me traditë bizantine në një etapë të re që quhet pasbizantine. Ne nuk dimë kush kanë qenë mësuesit e tij dhe mentorët e tij që e kanë udhëhequr në formimin intelektual dhe artistik.

VALMËT - MOTIVI ETNOGRAFIK

Krahina e Shpatit është mbretëria e Onufrit. Në Shelcan dhe në Valsh ka pjesën më të madhe të krijimtarisë pikturike. Afresket e mrekullueshme me motive biblike.

Monumenti i Valshit është me sa duket përmendorja e tij artistike para vdekjes. Në mbishkrimet e afreskeve ai na jep disa të dhëna me interes të madh. Mbishkrimi i kishës së Shën Premtes mban datën 1554. Aty Onufri përmend fisin e Valmëve në vendin e "Valshëve". Po këtu shënon "...ky tempull i shenjtë ... është ngritur me dëshirën e këtij katundi..." Kuptohet që kemi të bëjmë me një toponim popullor origjinal, që lidhet me fisin shqiptar të valmëve, të fshatit me peshë zotëruese në mjedis, aq sa edhe vetë Marin Barleti qytetin e Elbasanit e quan "qyteti i Valmit" (Urbus Valmarum). Këtu Onufri pa dyshim ka jetuar disa kohë. Ose dhe shumë kohë.

Kështjella e Elbasanit, muret, kullat... Topa... topa... grumbuj gjylesh, heshtash të vjetra.

Treva e Shpatit është treva e Gjergj Arianitit të famshëm, një nga luftëtarët më të mëdhenj të epokës skënderbejane. Më 1432-shin ai shkatërroi ushtritë e sulltanit në Bushek. Kronikat flasin se në vitet ‘60 të shekullit XVI populli i Shpatit është në kryengritje. Në Elbasan, i quajtur aso kohe me emrin NEOKASTËR më 1596-ën një shqiptar Dhimitri udhëheqës i masave, është kaq i fuqishëm sa në korrespondencën me ambasadorët e Evropës premton se mund ta çlirojë Shqipërinë nga Durrësi në Butrint. Në Valsh bën pikturën e tij më të shquar, më të lirë, më pasionante. Përfytyrimet e tij pikturike ai i lëviz, i përplas me njëra-tjetrën, i fikson në mënyrë përfundimtare duke krijuar një lidhje logjike të figurave, kronologjive, simboleve. Në afresket ai jep përpara shekujve spektaklet e tij që të kujtojnë filmin, vetëm se u mungon kolona zanore.

DIALOGU SHQIPËRI - RILINDJE EVROPIANE

Onufri nuk është një enigmë e vetmuar. Ai është më vete dhe njëkohësisht në lidhje me të tjerët. Onufri nuk mund të kuptohet dot pa piktorin Theofan i Kretës, pa Fran Katalanin, gjithashtu piktor i çuditshëm nga Kreta, që nuk dihet ç‘prejardhje ka pasur, pa piktorin shqiptar Eustath Jakovin nga Gjakova, një tjetër gjeni të shekullit, Longinin e Pejës në Kosovë, që ka pikturuar deri në Bosnjë, si dhe piktorin Mihal i Vlorë që ka pikturuar në Akuila të Italisë. Të gjitha këto shpërthime talentesh janë brenda shekullit.

Historia jonë deri tek epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut është natyrisht rezultat, është kulm historik i një piramide që ka bazë mijëvjeçarët e kaluar. Arti i Onufrit shkëlqen në një kohë kur Evropa përjetonte epokën e shkëlqyer të Rilindjes. Trojet shqiptare nuk mbeten jashtë kësaj rilindjeje. Nga trevat veriore dolën shumë artistë shqiptarë që kontribuuan në Rilindjen Dalmate. Mjeshtri nga Tivari, Andrea Shkodrani, Arkitekti Bosa, Andrea Aleks Durrsaku, nxënës i Donatelos. Lufta e popullit shqiptar kundër invazionit otoman mbrojti për artin e Rilindjes Evropiane që lulëzonte. Nuk mund të kuptohet arti i MONA LIZËS pa rrethimet e famshme të Vranjës dhe peneli i Leonardo da Vinçit pa shpatën e Skënderbeut. Rilindja shqiptare vazhdon me poetin Mikel Marulin, astronomin Gjon Gazul, me humanistin Marin Beçikemi nga Shkodra. Në shekullin XVI, kur Shqipëria është nën ferrin tragjik "të errësirës egjiptiane" të Perandorisë Osmane, pikërisht në këtë shekull kultura shqiptare e shekullit XVI zhvillohet në kushte të reja, ajo nuk i shkëput lidhjet me Rilindjen. Kjo kulturë përfaqësohet nga yllësia e denjë e emrave BARLET - ONUFËR - BUZUK. Trinomi i mësipërm na bën ta lexojmë më mirë gjendjen e statusin e atdheut tonë, në këtë shekull. Arti i Onufrit lidhet me veprën e Barletit dhe të Buzukut.

Të mos harrojmë që në Shqipëri akoma zotëronte stili paleolog bizantin, ikonografia lindore. Të mos harrojmë se edhe një kryemjeshtër i madh siç qe Onufri gjenial, në shekullin XVI vazhdon të pikturojë sipas stilit paleolog bizantin, ndonëse me një art dhe mjeshtëri të habitshme.

Vijon në numrin e ardhshëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›