E Martë, 3 Nëntor 2026

Prokuroria e Shkodrës: Vendimi për Thethin, në përputhje me ligjin

Tiranë, 7 korrik /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër reagoi sot në lidhje me deklaratat publike të Kryeministrit Edi Rama, që lidhen me vendimin për mosfillimin e procedimit penal ndaj ndërtimeve pa leje të konstatuara në zonën e Thethit.

Në një reagim zyrtar, Prokuroria sqaron se vendimi i datës 30 maj 2025, i marrë nga prokurorja Elsa Gjeli, është në përputhje të plotë me nenin 290, pika “ç” të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit nuk mund të fillojë një procedim penal nëse fakti nuk përbën vepër penale ose kur rezulton qartë që fakti nuk ekziston.

Në sqarim thuhet se, nga vlerësimi i fakteve dhe dokumentacionit proceduror, nuk është konstatuar ndërtim i paligjshëm në kuptimin e nenit 199/a të Kodit Penal. Strukturat e përmendura janë identifikuar si kontenjerë të përkohshëm, pa themele, të vendosur mbi pllaka guri, të cilët nuk përmbushin kriteret për t’u konsideruar objekte ndërtimi sipas ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Gjithashtu, sipas VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar, struktura të tilla të përkohshme nuk kërkojnë leje ndërtimi, por vetëm një deklaratë paraprake. Edhe vetë IMT e Bashkisë Shkodër i ka klasifikuar këto raste si kundërvajtje administrative dhe jo si vepra penale.

Prokuroria thekson se si organ kushtetues i pavarur, ajo ka detyrimin të vlerësojë faktet vetëm mbi bazën e ligjit dhe provave, pa asnjë ndikim të jashtëm politik. Ajo kujton se ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në vendimmarrjet e drejtësisë, përfshirë edhe komentet publike, cenojnë ndarjen e pushteteve të garantuar në nenin 7 të Kushtetutës dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve te drejtësia. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›