E Martë, 3 Nëntor 2026

JAPONI – 1 600 tërmete në 16 ditët e fundit

TOKIO, 7 korrik /ATSH-AA/ – Në arkipelagun Tokara në jugperëndim të Japonisë, në 16 ditët e fundit janë regjistruar 1 592 tërmete me fuqi të ndryshme.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë (JMA), arkipelagu i cili është pjesë e prefekturës së Kagoshimas, është tronditur nga tërmete gjatë 16 ditëve të fundit.

Të dhënat tregojnë se 1 592 tërmete që ndryshojnë nga 1,0 deri në 6,0 ballë u shënuan në arkipelag midis 21 qershorit dhe 7 korrikut.

Tërmetet më të fundit në rajon ishin 4,9 dhe 5,5 ballë më 6 korrik dhe 5,1 ballë më 7 korrik, në orën 12:12 sipas kohës lokale.

Agjencia zyrtare e lajmeve Kyodo raportoi se nuk janë shënuar viktima, të plagosur apo dëme materiale në lidhje me tërmetet në rajon.

Që nga 3 korriku e deri më tani vazhdon evakuimi i banorëve me tragete nga arkipelagu.

Zëvendëssekretari i kabinetit, Aoki Kazuhiko tha se po përpiqen të evakuojnë banorët e rajonit të ishullit.

“Rreziku i shembjes së shtëpive dhe rrëshqitjeve të dheut rritet në zonat ku lëkundjet janë të forta”, tha Aoki duke paralajmëruar kundër hyrjes në zona të rrezikshme nëse nuk është e nevojshme.

Në arkipelagun Tokara që përfshin një zonë prej 160 kilometrash, u shënuan 346 tërmete në shtator 2023 dhe 308 në dhjetor 2021.

Që nga qershori 2025, afër 670 banorë jetojnë në arkipelagun Tokara, i cili ka një sipërfaqe prej 100 kilometrash katrorë dhe përbëhet nga shtatë ishuj kryesorë./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›