E Diel, 1 Nëntor 2026

BBC: Kina largon nëntë zyrtarë ushtarakë para takimit politik kyç

PEKIN, 27 shkurt /ATSH/- Kina ka larguar 19 zyrtarë, përfshirë nëntë ushtarakë, nga lista e ligjvënësve të Parlamentit, para mbledhjes më të madhe vjetore politike, javën e ardhshme, sipas BBC.

Vendimi u njoftua nga Komiteti i Përhershëm i Kongresit Popullor Kombëtar (NPC), por autoritetet nuk dhanë një arsye zyrtare për heqjen e tyre.

Ndër të përfshirët janë Li Qiaoming, komandant i Forcave Tokësore të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit (PLA), Shen Jinlong, ish-komandant i Marinës së PLA, si dhe disa zyrtarë provincialë, përfshirë Sun Shaochong, ish-kryetarin e partisë në rajonin e Mongolisë së Brendshme.

Largimet vijnë vetëm disa javë pasi presidenti Xi Jinping largoi Zhang Youxia, gjeneralin më të lartë dhe një nga aleatët e tij më të ngushtë ushtarakë, pas akuzave për “shkelje serioze të disiplinës dhe ligjit”, një eufemizëm që shpesh përdoret për korrupsion.

Që kur erdhi në pushtet, Xi ka nisur valë të shumta të fushatës anti-korrupsion, duke e cilësuar korrupsionin “kërcënimin më të madh” për Partinë Komuniste.

Megjithatë, kritikët thonë se kjo fushatë gjithashtu përdoret për të eleminuar rivalët politikë.

Fushata e Xi-së ka shenjestruar si zyrtarë të lartë ashtu edhe ata të rangut të ulët dhe është bërë një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së tij, duke nisur me iniciativën e famshme “tigra dhe miza” që u lançua pas ardhjes së tij në pushtet në vitin 2013.

Ai ka deklaruar së fundmi se lufta kundër korrupsionit “mbetet e rëndë dhe komplekse”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›