E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 3% e projekteve të mëdha në ndërtim shkon për strehimin social

TIRANË, 9 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se transformimi që sjell sektori i ndërtimit në vend është i prekshëm dhe futja e këtij sektori në kornizën e krimit është diçka e neveritshme dhe e pakëndshme.

Në një bashkëbisedim me sipërmarrës ku u prezantua edhe projekti më i fundit i kompanisë “Pajtoni Group”, Rama u ndal te përfitimi që sjellin projekte të tilla edhe për komunitetin, ndërsa shtoi se kompania është zotuar të ndërtojë një shkollë sapo bashkia të caktojë truallin.

“Në këtë projekt, ende pa filluar puna, bashkia e Tiranës ka marrë 14 milionë euro taksë. 14 milionë euro janë një shumë e konsiderueshme ndërkohë që nga ky projekt kur të bëhet realitet komuniteti do të fitojë çerdhe dhe kopshte”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në këto 14 milionë euro është edhe pjesa 3% që shkon për strehimin.

“Kush investon në këto projekte, investon për miliarda të shtuara, pasi pa diskutim që këto apartamente nuk i blen dot një njeri që jeton me një pagë të ulët apo mesatare. Por ama nga ndërtimi që ata bëjnë, bashkia e Tiranës dhe bashkitë ku ndërtohen të tilla projekte marrin një taksë, që është 3% vetëm për strehimin, për të investuar në skema të strehimit social dhe të përballueshëm. Këto ndërtime kontribuojnë edhe për strehimin e  përballueshëm”, shtoi Rama.

Rama theksoi se deri tani ky projekt ka 350 apartamente të porositura vetëm nga diaspora shqiptare, dhe që nuk paguhen me “cash”, por me bankë.

“350 apartamente janë një e katërta e apartamenteve që do të ketë gjithë ky kompleks i madh. Ky është realiteti i një zinxhiri gjithnjë e më të gjatë hartash të një ekonomie që rritet në mënyrë të qëndrueshme. Ndryshe nga çfarë thuhet në tenxheret mediatike nga ata që nuk duan t’ja njohin Shqipërisë suksesin”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se sektori i ndërtimit sjell shumë të mira por që për fat të keq si çdo gjë në këtë vend sulmohet kur shfaqet me sukses dhe mbulohet me baltë.

“Është një sektor që në mënyrë të vazhdueshme merr goditje, sulme dhe baltë. Nuk e vë në diskutim se edhe në sektorin e ndërtimit, si në çdo sektor tjetër në Shqipëri , ka probleme dhe problemet këtu në Shqipëri patjetër që janë në disa raste më të mprehta. Jo çdo gjë në sektor është e pastër, e qartë si drita e diellit dhe e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që i japin jetë sektorit”, tha Rama.

Por, kryeministri theksoi se transformimi që sjell sektori i ndërtimit e bën të prekshëm menjëherë suksesin evident të Shqipërisë.

“Ta fusësh këtë sektor në kornizën e krimit është diçka e neveritshme dhe e pakëndshme. Ka shumë arsye pse Shqipëria mund të bëjë ndërtime të tilla, ndërkohë që për disa që nuk e pranojnë suksesin e Shqipërisë, shumica dërrmuese e atyre që investojnë në ndërtim futen në thesin e baltës”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›