Gonxhja: Projektligji “Për portet turistike” rrit cilësinë e investimeve në turizëm

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e cilësoi sot nismë shumë të dobishme për zhvillimin e turizmit bregdetar projektligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, që po diskutohet sot në Kuvend.
Gonxhja vlerësoi se ky projektligj përmirëson dhe harmonizon kuadrin ligjor, eliminon atë një paradoks në aplikimin e disa dispozitave të ligjit për investimet strategjike.
Ministri Gonxhja njohu vështirësinë e administratës në projektimin e një projekti strategjik, ku do të duhej që në një ansambël të ndërthurej edhe investimi sa i përket moleve.
“Kjo do të thotë që në pjesën kryesore të këtyre strukturave, pra pontileve dhe porteve turistike është një nga pjesët më të vështira në investimin sa i takon terrenit, themeleve sa i takon gjithë ankorimit gjithë pjesës së zbatimit mirëmbajtjes së efektit që ka deti, pra gjithçka që lidhet me vështirësinë dhe ka të bëjë me garantimin e kushteve të sigurisë sepse ka dimër dhe dallgë të forta”, u shpreh ministri.
Më tej, Gonxhja vuri në dukje se “është shumë herë më mirë që ne të kemi mundësi të “detyrojmë” investitorin strategjik, që ai të ketë plan të plotë edhe për pjesën e vet akomoduese”.
Por, shtoi Gonxhja, kjo nuk është me detyrim që të bëjë dhe molin, por është një mundësi më shumë për të pasur një projekt edhe më të plotë që do të ishte me i balancuar nga pikëpamja e bilancit të atij biznesi.
“Në rast se ke pjesën brenda tokës që e kthen më shpejt investimin pjesa në det e kthen më avash investimin. Të bëjmë një bilancim më të saktë të peshës së kostove për këtë investitor”, tha Gonxhja.
Nisma e re ligjore për disa shtesa në ligjin “Për portet turistike” synon thjeshtimin e procedurave për investimet në projekte strategjike ku përfshihen resorte, porte dhe marina turistike, me qëllim nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e turizmit në vend.
Ky pr/ligj synon të eliminojë konfliktin midis procedurave për investimet strategjike dhe koncesionet, duke lehtësuar miratimin dhe realizimin e porteve turistike nga vetë subjekti investues.
/k.s/j.p/