E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rritje e pagave dhe të ardhurave në buxhet, më shumë ekonomi dhe më pak korrupsion

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim mbi rritjen e pagave në sipërmarrjet shqiptare, duke theksuar rolin kyç të sektorit të ndërtimit në transformimin ekonomik dhe social të vendit.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “e gjithë kjo që ndodh edhe me sektorin e ndërtimit na jep krahë për të shkuar më shpejt përpara në rrugën e anëtarësimit”.

“Sepse anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një certifikatë formale, por është një proces transformimi dhe të gjithë ato hapa që ne, Komisioni Europian, na i certifikon nuk janë letra, janë transformimi në realitetin këtu”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se kritikat mbi korrupsionin nuk duhet të pengojnë suksesin e individëve dhe sipërmarrjeve që kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

“Ata që flasin sot për një Shqipëri të kapur për fyti nga korrupsioni në fakt janë të kapur në fytin e tyre nga mllefi ndaj suksesit të të gjithë atyre këtu, sepse e kanë të pamundur ta gjejnë fuqinë për ta pranuar dhe për t’i falur tjetrit suksesin”, tha Rama.

Kryeministri argumentoi gjithashtu lidhjen mes rritjes së të ardhurave dhe uljes së korrupsionit.

“Se nuk mundet dot të rritet korrupsioni kur ti paguan 14 milionë euro taksë dhe ndërkohë që kur korrupsioni ishte më i lartë ti paguaje shumë më pak taksë. 14 milionë euro taksë me korrupsion nuk shkon. Nuk shkojnë të dyja bashkë. Nëse rriten të ardhurat, të ardhurat nuk rriten nga shiu, të ardhurat rriten nga taksat dhe nëse arka e shtetit ka më shumë të ardhura, atëherë do të thotë që ka më pak korrupsion”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se shembujt pozitivë në ndërtim dhe zhvillimin e ekonomisë tregojnë progresin e vendit, ndërsa lufta kundër korrupsionit përbën anën tjetër të medaljes.

“Pra edhe shembuj pozitivë të ndërtimit, të transformimit, të rritjes së ekonomisë, të rritjes së pagave, të rritjes së pensioneve, të rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit. Dhe shembujt negativë që ekspozohen në luftën kundër korrupsionit janë dy anë të së njëjtës medalje, që këtu ka më shumë ekonomi dhe ka më pak korrupsion”, u shpreh kryeministri Rama.

/gj.m/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›