ANALIZË – Nga armëpushimi te negociatat bërthamore: Çfarë dihet deri tani për marrëveshjen SHBA-Iran

LONDËR, 16 qershor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot në samitin e G7-ës në Evian të Francës, se marrëveshja e paqes midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit , ka hyrë në “fazën e dytë”, megjithëse nuk dha detaje të mëtejshme mbi procesin, raportoi BBC.
Marrëveshja u arrit të dielën, por përmbajtja e saj ende nuk është bërë publike.
Presidenti Trump tha dje se “marrëveshja është plotësisht e nënshkruar” dhe se teksti i plotë do të publikohet “shumë shpejt”.
Sipas presidentit amerikan, dokumenti mund të bëhet publik pasi të dyja palët ta nënshkruajnë zyrtarisht, të premten në Zvicër.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë bërë të ditur se, në kuadër të marrëveshjes, Ngushtica e Hormuzit do të rihapet të premten.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance tha se Trump mund të vendosë të publikojë përmbajtjen e marrëveshjes, edhe më herët.
Marrëveshja parashikon zgjatjen e armëpushimit edhe për 60 ditë të tjera, një periudhë gjatë së cilës, palët do të negociojnë detajet e një marrëveshjeje përfundimtare.
Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi konfirmoi se një raund i ri negociatash, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje me SHBA-në, do të nisë të premten në Zvicër.
Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur gjithashtu se bisedimet teknike për programin bërthamor iranian pritet të fillojnë gjatë kësaj jave, në kuadër të negociatave.
Situatë e paqartë në Liban
Megjithëse SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord për t’i dhënë fund konfliktit, pasojat e marrëveshjes për Libanin mbeten ende të paqarta.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, në rolin e ndërmjetësit, deklaroi të dielën se Libani ishte përfshirë në marrëveshjen për ndërprerjen e operacioneve ushtarake. Megjithatë, sulmet kanë vazhduar edhe ditët e fundit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Libani përfshihet në kuadër të armëpushimit, por tërheqja e forcave izraelite nga territori libanez, nuk është kusht i marrëveshjes. Ata shtuan se Izraeli do të ruajë të drejtën për vetëmbrojtje.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz kundërshtoi dje çdo tërheqje të trupave izraelite nga territoret libaneze, që aktualisht kontrollohen nga Izraeli.
Ai paralajmëroi se nëse Irani sulmon Izraelin për shkak të zhvillimeve në Liban, ushtria izraelite do të përgjigjet “me gjithë fuqinë e tij”.
Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat izraelite nuk do të tërhiqen nga Libani jugor, dhe se do të vazhdojnë të kenë liri veprimi, për të goditur çdo kërcënim ndaj sigurisë së Izraelit.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun e mirëpriti njoftimin për paqen, duke shprehur shpresën, se ai do të shoqërohej me hapa konkretë, që do t’i jepnin fund përfundimisht ciklit të dhunës.
Megjithatë, gjatë natës ushtria izraelite konfirmoi se kishte kryer sulme, ndaj personave që i cilësoi si militantë pranë pozicioneve të saj në Libanin jugor.
Sipas Izraelit, katër persona u vranë në këto sulme, ndërsa Hezbollahu njoftoi se ishte kundërpërgjigjur me raketa dhe dronë ndaj forcave izraelite. //a.i/