E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazheli, takim me biznesin për skemën e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli zhvilloi një takim konsultues me përfaqësues të biznesit, institucioneve dhe ekspertë të fushës për të diskutuar procesin e hartimit të akteve nënligjore dhe zbatimin e skemës së Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit.

Gazheli bëri të ditur se, diskutimet u përqendruan te funksionimi i skemave të përgjegjësisë së prodhuesve, rritja e normave të grumbullimit dhe riciklimit, si dhe krijimi i një kuadri rregullator të qartë, funksional dhe transparent.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e biznesit dhe ekspertët e fushës paraqitën sugjerime dhe rekomandime që do të kontribuojnë në përmirësimin e akteve nënligjore dhe të mekanizmave të zbatimit të skemës.

“Kontributet dhe rekomandimet e pjesëmarrësve do të shërbejnë për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe për avancimin e objektivave të ekonomisë qarkulluese, në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, theksoi Gazheli.

Skema e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit është një nga instrumentet kryesore të politikave mjedisore të Bashkimit Evropian, që synon të rrisë përgjegjësinë e prodhuesve për menaxhimin e produkteve dhe mbetjeve që ato gjenerojnë, duke nxitur riciklimin dhe përdorimin më efikas të burimeve.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›