ANALIZË – Rriten rreziqet në luftën Rusi-Ukrainë ndërsa afrohet afati i fundit i Trump për Kremlinin

UASHINGTON, 4 gusht /ATSH/- Java e ardhshme mund të sjellë një moment të rëndësishëm në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa afati i fundit i presidentit të SHBA-së Donald Trump që Kremlini të arrijë një marrëveshje paqeje po afron, sipas AP.
I dërguari special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff pritet të udhetojë në Moskë në mes të kësaj jave, para afatit të fundit të Trump – që Kremlini të ndalojë vrasjet ose në të kundërt do të përballet me penalitete potencialisht të rënda ekonomike nga Uashingtoni.
Premtimet, kërcënimet dhe bindjet e mëparshme të Trump nuk kanë dhënë rezultate, dhe ngërçi kokëfortë diplomatik do të jetë i vështirë për t’u zgjidhur.
Ndërkohë, Ukraina po humbet më shumë territor në vijën e frontit, megjithëse nuk ka shenja të një shembjeje të afërt të mbrojtjes së saj.
I dërguari i Trump pritet në Kremlin
Witkoff pritet të mbërrije në kryeqytetin rus të mërkurën ose të enjten, sipas Trump, pas udhëtimit të tij në Izrael dhe Gazë.
“Ata kanë kërkuar që të takohen me Witkoff, kështu që do të shohim se çfarë ndodh”, tha Trump.
Presidenti amerikan, i acaruar që presidenti rus Vladimir Putin nuk i ka dëgjuar thirrjet e tij për të ndaluar bombardimin e qyteteve ukrainase, një javë më parë e rriti ultimatumin e tij për të vendosur sanksione shtesë ndaj Rusisë, si dhe për të futur tarifa dytësore që synojnë vendet që blejnë naftë ruse, përfshirë Kinën dhe Indinë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të hënën se zyrtarët ishin të lumtur që do të takoheshin me të dërguarin e Trump.
“Ne jemi gjithmonë të lumtur ta shohim Witkoff në Moskë. Ne i konsiderojmë bisedimet me Witkoff të rëndësishme, thelbësore dhe shumë të dobishme”, tha Peskov.
Trump nuk është i sigurt nëse sanksionet do të funksionojnë
Trump tha dje se Rusia ka provuar të jetë mjaft e mirë në shmangien e sanksioneve.
“Ata janë personazhe dinakë”, tha ai për rusët.
Kremlini ka këmbëngulur se sanksionet ndërkombëtare të vendosura që nga pushtimi i fqinjit të saj në shkurt 2022 kanë pasur një ndikim të kufizuar.
Ukraina këmbëngul se sanksionet po ndikojnë negativisht në makinerinë e luftës së Moskës dhe kërkon që aleatët perëndimorë t’i shtojnë ato.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje sot Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Evropës dhe vendeve të tjera të vendosin sanksione dytësore më të forta në sektorët e energjisë, tregtisë dhe bankave të Moskës.
Deklarata e Trump duket se sinjalizoi se ai nuk ka shumë shpresë se sanksionet do ta detyrojnë Putinin të veprojë.
Sanksionet dytësore gjithashtu ndërlikojnë marrëdhëniet e Uashingtonit me Kinën dhe Indinë, të cilat akuzohen se ndihmojnë në financimin e përpjekjeve të luftës së Rusisë duke blerë naftën e saj.
Që nga marrja e detyrës në janar, Trump ka zbuluar se ndalimi i luftës është më i vështirë nga sa mund ta imagjinonte.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë paralajmëruar se SHBA-ja mund të heq dorë nga zgjidhja e konfliktit nëse përpjekjet për paqe nuk përparojnë.
Putin nuk tregon shenja se do të bëjë lëshime
Atmosfera diplomatike është bërë më e nxehtë ndërsa afati i fundit i Trump afrohet.
Putin njoftoi të premten e kaluar se raketa e re hipersonike e Rusisë, “Oreshnik”, ka hyrë në shërbim.
Udhëheqësi rus tha se kokat e saj të shumta bërthamore që zhyten në një objektiv me shpejtësi deri në 12,350 km/h nuk mund të interceptohen.
“Ato janë aq të fuqishme, saqë përdorimi i disa prej tyre në një sulm konvencional mund të jetë po aq shkatërrues sa një sulm bërthamor” tha Putin.
Gjithashtu, një nga togerët më të lartë të Putinit paralajmëroi se lufta në Ukrainë mund ta çojë Rusinë dhe SHBA-në në konflikt të armatosur.
Trump iu përgjigj asaj që ai e quajti “deklaratë shumë provokuese” nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev duke urdhëruar ripozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane.
Putin ka përsëritur të njëjtin mesazh gjatë gjithë luftës: Ai do të pranojë vetëm një zgjidhje sipas kushteve të tij dhe do të vazhdojë të luftojë derisa ato të përmbushen. //a.i/