E Hënë, 2 Nëntor 2026

LITUANI – Ministri i Financave emërohet të drejtojë qeverinë teknike

VILNUS, 4 gusht /ATSH / – Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, pranoi sot dorëheqjen e kryeministrit Gintautas Paluckas dhe të gjithë qeverisë së tij, duke emëruar ministrin e Financave, Rimantas Sadzius, si drejtues të qeverisë së përkohshme, sipas “Euronews”

Presidenti ka deri në 15 ditë për të propozuar një kandidat të ri për postin e kryeministrit për miratim nga parlamenti (Seimas). Deri atëherë, Sadzius do të udhëheqë qeverinë teknike.

Paluckas njoftoi dorëheqjen të enjten e kaluar, pas hapjes së dy hetimeve paraprake nga autoritetet ligjzbatuese mbi aktivitetet e tij të biznesit, që shkaktuan shqetësime publike në rritje. Ai e konfirmoi  sot vendimin gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë .

Kandidati i ri për kryeministër do të propozohet nga Partia Socialdemokrate, grupi më i madh në parlament.  Kandidati  kryesor është ish-kryetari i bashkisë së Jonavës dhe ish-ministri i Ekonomisë, Mindaugas Sinkevicius, pavarësisht se në maj 2024 u dënua me gjobë dhe ndalim 3-vjeçar për ushtrim detyre për shkak të një skandali abuzimi me detyrën, dënim që u konfirmua edhe në apel në shtator.

Kandidatët e tjerë të mundshëm janë ish-eurodeputeti dhe ish-ministri i Mbrojtjes Kombëtare Juozas Olekas, ministrja e Sigurisë Sociale dhe Punës Inga Ruginiene, si dhe kryetari i qarkut të Vilnusit, Robert Duchnevic. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›