E Hënë, 2 Nëntor 2026

RUSI – Kremlini minimizon lëvizjen bërthamore të presidentit Trump

MOSKË, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Kremlini ka hedhur poshtë shqetësimet për një përshkallëzim bërthamor pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur dy nëndetëse bërthamore më afër Rusisë.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, e përshkroi këtë veprim si “një reagim emocional, jo si një ndryshim domethënës” në balancat ushtarake mes fuqive rivale.

“Është e qartë se nëndetëset amerikane janë gjithmonë në gatishmëri, në çdo rast”,  u shpreh Peskov, sipas agjencisë shtetërore ruse TASS.

Ai i bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje kur bëhet fjalë për retorikën bërthamore.

Trump deklaroi të premten se kishte urdhëruar vendosjen e nëndetëseve si përgjigje ndaj kërcënimeve të bëra nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev. Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ka tërhequr vëmendjen për deklaratat e tij të ashpra dhe provokuese që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

“Në çdo vend, anëtarët e udhëheqjes kanë pikëpamje të ndryshme mbi ngjarjet aktuale dhe qëndrime të ndryshme. Ka njerëz me mendësi shumë, shumë të ashpra, si në Shtetet e Bashkuara, të Amerikës ashtu edhe në vendet evropiane” , tha Peskov, duke iu referuar Medvedevit.

“Në vendin tonë, politika e jashtme përcaktohet nga kreu i shtetit, presidenti Putin”, theksoi ai.

Peskov pranoi gjithashtu përpjekjet e presidentit Trump dhe SHBA-së për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë. Ai tha se ishte e mundur që Putin të takohej me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Steve Witkoff  ketë javë. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›