E Martë, 3 Nëntor 2026

ANKARA – Erdogan: Marrëdhëniet turko-amerikane do të lulëzojnë në mandatin e dytë të Trumpit

ANKARA, 11 prill /ATSH-AA/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve SHBA-Turqi gjatë fjalimit të tij në Forumin e Diplomacisë në Antalia (ADF).

Erdogan shprehu optimizëm për të ardhmen e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.

“Besoj se marrëdhëniet me SHBA-në do të lulëzojnë në çdo fushë gjatë mandatit të dytë të presidentit Trump, gjithashtu me kontributin e miqësisë sonë të ngushtë me të”, tha Erdogan duke nënvizuar rëndësinë e SHBA-së si një partner strategjik.

Duke adresuar sfidat në rritje të tregtisë globale, Erdogan foli mbi përpjekjet për të menaxhuar tensionet që lindin nga konkurrenca tregtare dhe tarifat doganore.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar që konkurrenca e nisur tregtare përmes tarifave doganore të mos bëhet shkatërruese. Turqia do të jetë një nga fitueset e këtij procesi”, tha ai.

Udhëheqësi turk theksoi gjithashtu qëllimin ambicioz tregtar midis dy vendeve, duke thënë se “ne i kushtojmë rëndësi të madhe qëllimit tonë për të arritur një objektiv tregtar prej 100 miliardë dollarësh me aleatin dhe partnerin tonë strategjik, SHBA-në”./     /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›