EUROVISION2025 – RTVE i kërkon EBU-t debat për pjesëmarrjen apo jo të televizionit publik izraelit

MADRID, 11 prill /ATSH-ANSA/ – Transmetuesi publik spanjoll (RTVE) i ka kërkuar Unionit të Transmetuesve Evropianë (EBU) “të hapë një debat të brendshëm për pjesëmarrjen e televizionit publik izraelit (KAN)” në edicionin e ardhshëm të Eurovision Song Contest, të planifikuar për në maj.
Sipas një njoftimi për shtyp, presidenti i RTVE, José Pablo López, i ka dërguar një letër në lidhje me këtë çështje drejtorit të përgjithshëm të EBU-t, Noel Curran.
“RTVE shpreh angazhimin e saj për festivalin, por njeh edhe shqetësimet e ngritura nga grupet e shoqërisë civile spanjolle në lidhje me situatën në Gaza”, thuhet në deklaratë.
“RTVE beson se do të ishte e përshtatshme që EBU të pranojë ekzistencën e këtij debati dhe të lehtësojë një hapësirë për reflektim mbi të”, shtohet në deklaratë./ /os/