Rama: Mëngjesin e 12 majit Shqipëria do ngrihet rozë

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se flamuri që gratë dhe vajzat socialiste kanë qëndisur me shumë durim, zonë më zonë, njësi më njësi, qendër votimi më qendër votimi, do të mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit dhe mëngjesin e 12 majit, Shqipëria do të gdhihet e gjitha e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave dhe vajzave dhe ngjyra e Partisë Socialiste.
Në takimin me gratë dhe vajzat socialiste, i cili i paraprin çeljes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe njëkohësisht në 11 qarqet e tjera të vendit, Rama vlerësoi si fantastike punën e grave dhe vajzave në 5202 organizatat socialiste.
Rama solli në vëmendje se 20 vite më parë në organizatat socialiste nuk kishte asnjë grua apo vajzë.
“PS dhe fuqia e gruas dhe vajzës shqiptare nuk janë rastësisht të ndërlidhura kaq shumë me njëra-tjetrën. Kjo është një sinergji që është shumë domethënëse se ka nisur të krijohet 20 vite më parë, kur i sapozgjedhur në krye të kësaj familjeje politike vizitoja për herë të parë organizatat tona nëpër Shqipëri”, u shpreh Rama.
Partia, tha ai, ishte atëherë në një depresion nga humbja që riktheu asokohe në krye të vendit “bufin e kënetës” opozitare.
“Mungesën e dritës së shpresës e bënte edhe më të padurueshme në ato takime mungesa e grave dhe vajzave. Nuk kishte asnjë grua dhe asnjë vajzë. Dhe pastaj ajo që e bënte komplet errësirë dëshpëruese takimin e këtij lloji, ishte përgjigjja e pyetjes: Pse nuk ka asnjë grua sot këtu? Përgjigjja ishte: Po ku ka gra këtu tek ne, pra në zonë. Pastaj i pyeta: Po ju kush ju ka lindur? Kur ata nuk reagonin, shtroja pyetjen tjetër: Po në shtëpi kush kujdeset për ju?”, u shpreh Rama.
Kreu i PS-së risolli në vëmendje edhe mungesën e grave dhe vajzave në parlamentin e asaj kohe dhe në qeveri.
“Në atë kohë parlamenti nxinte nga burrat, si odë otomane. Kurse qeveria kishte vetëm një grua. Atëherë, këtu, në këtë parti, nisi dhe një revolucion gjinor që u shtri edhe jashtë kësaj partie, duke e rritur gradualisht, por sistematikisht pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje”, deklaroi Rama.
/a.f/r.e/