ARRSH shpall fituesin për fazën e tretë të Lotit 1 të punimeve në superstradën Tiranë-Durrës

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar përfundoi procedurën e prokurimit për lotin e parë të fazës së tretë të zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend. Fitues u shpall kompania “ALB-BUILDING” me ofertën prej 1,97 miliardë lekësh, ndërsa fondi limit ishte 2,4 miliardë lekë.
Faza e tretë përfshin ndërhyrje në shtresat asfaltike të korsive të reja në lotin e parë të superstradës, përmirësimin e sistemit të drenazhimit, ndërlidhjen e nyjes së Laknasit me autostradën, si dhe ndërhyrje në nënkalimin e Limuthit pranë Citypark.
Afati i përfundimit të punimeve është 24 muaj. Në tendër paraqitën ofertat 14 operatorë ekonomikë.
Projekti parashikon ndërtimin e një nyjeje në disnivel në Laknas, e cila siguron lidhjen e rrugës së Laknasit me autostradën, duke ruajtur standardet e sigurisë rrugore dhe parametrat gjeometrikë të nevojshëm për qarkullim të sigurt. Rampat lidhëse do të kenë gjerësi minimale prej 6 metrash dhe pjerrësi maksimale prej 7-8%, në përputhje me standardet në fuqi.
Ky investim pritet të përmirësojë sigurinë në një nga arteriet kryesore të transportit në Shqipëri, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe lidhjen më të mirë rajonale.
Zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës synon transformimin e saj në një autostradë të kategorisë “A”. Aksi, me një gjatësi totale prej rreth 33 kilometrash, do të zgjerohet duke arritur një gjerësi prej 32.5 metrash. Çdo karrexhatë do të përfshijë tre korsi lëvizjeje dhe një korsi emergjence, ndërsa shpejtësia maksimale e lejuar do të jetë 130 km/h.
Faza e parë e këtij projekti përfshin rreth 10 kilometra rrugë, që shtrihet nga Casa Italia deri në mbikalimin e Kasharit për 6 kilometra dhe më pas nga Kashari deri në Vorë për 3 kilometra të tjera. Më pas, faza e dytë do të përfshijë segmentin Vorë – Sukth, ndërsa faza e tretë do të vazhdojë nga Sukthi deri në Shkozet. /j.p/