E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me pyjet në Vlorë, shtyhet seanca

Vlorë- Mungesa e avokatëve dhe dy të akuzuarve ka detyruar trupin gjykues të shtyjë seancën për çështjen “Ilqet”, abuzimeve në zonat pyjore të lumit të Vlorës, çështje, që ka implikuar plot 18 persona. Trupi gjykues ka nisur shqyrtimin e dosjeve nën drejtimin e kreut të gjykatës së Vlorës, Artur Malaj.

Avokatët e pranishëm sot në seancë kanë paralajmëruar shtyrjen e mëtejshme të çështjes, për vetë numrin e madh të të akuzuarve.

Çështja në fjalë u bë publike një vit më parë me operacionin e koduar “ILQE 804 që fillimisht vuri në pranga 7 persona, administratorë firmash private dhe punonjës të ndërmarrjes pyjore. Akuza ishte “shkatërrim të pronës me pasoja të rënda” për administratorët e firmave, të cilat operonin në zonat e Lumit të Vlorës dhe kishin leje përdorimi për të ushtruar aktivitet në pyjet e zonave.

Kurse punonjësit e pyjores akuzohen për shpërdorim të detyrës, sepse ata kanë lejuar të ndodhë shkatërrimi.

Në atë kohë akuza bëri të ditur se skandali me pyjet në zonën e fshatrave Kuç, Bolenë, Tërbaç dhe Vranisht ka nisur disa vjet më parë, ndërsa shifra e abuzimit me pyjet është tepër e madhe.

Në bashkëpunim, këta persona llogaritet të kenë shkatërruar rreth 146 011 m3 dru pyjorë, i cili është përpunuar në qymyr dhe është tregtuar për llogari të firmave, kryesisht në Greqi. Dëmi llogaritet në shumën 50 milionë dollarë.

Sic bëjnë me dije burime nga organet e drejtësisë së Vlorës, vec evidentimit të sipërfaqeve të dhëna pa leje nga drejtuesit, janë edhe sipërfaqe të djegura, me dyshimin e shkatërrimit të provës.

Shifrat tregojnë se rezultojnë 450 ha sipërfaqe pa leje në zonë pyjore të dhëna nga drejtorët, e gjithë kjo në zonat e lumit të Vlorës. Në total është regjistruar edhe 500 ha sipërfaqe e djegur, djegie e cila ka vijuar për të zhdukur gjurmët e prerjeve.

Ndër abuzimet që spikatin është ai me drurin e Ilqes, dru i një rëndësie të veçantë dhe i ndaluar të pritet, sanksionuar edhe në VKM-në e vitit 2003.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›