Bashkia: Fusha Ali Demi kthehet në park
Tiranë- Një investim prej 40 milionë lekësh vënë në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës do të bëjë të mundur rikualifikimin urban të parkut në fushën “Ali Demi“, rikonstruksion i cili parashikohet të përfundojë në fund të muajit janar 2009.
Zgjidhja urbane e propozuar respekton këtë prakticitet, duke krijuar një aks të fuqishëm lëvizjeje, sipas këtij drejtimi. Në këtë mënyrë, përftohen dy zona kryesore; zona në lindje të këtij aksi, një zonë e qetë me karakter parku dhe zona në perëndim e zhurmshme e kryesisht me karakter sportiv.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, në një prononcim për mediat gjatë prezantimit të projektit dhe fillimit të punës për rikualifikimin urban të parkut tek fusha e “Ali Demit“ theksoi vullnetin e komunitetit për shndërrimin e kësaj fushe.
“Në dëgjesat publike të vitit të kaluar për buxhetin e këtij viti, ky komunitet kërkoi me këmbëngulje që kjo ish - fushë e kthyer në një vend mbeturinash dhe pa asnjë lloj aksesi të kthehej në një mjedis në dispozicion të komunitetit. Ne sot i hapim udhë një projekti i cili do të transformojë të gjithë këtë territor, në një territor në dispozicion të më të moshuarve, të fëmijëve e të rinjve. Ky është një shembull tjetër i vlerave të këtyre dëgjesave publike, që së shpejti do rifillojmë në vitin e ardhshëm”- tha ai. .
Zona e qetë është konceptuar si një hapësirë e përshtatshme për moshat e treta dhe fëmijët. Pjesa më e madhe e sipërfaqes do të jetë e mbjellë me bar dhe pemë të llojeve të ndryshme të cilat do të krijojnë hije të mjaftueshme. Po ashtu, çezmat me ujë të pijshëm dhe stolat janë menduar si elementë të domosdoshëm për zonën e qetë gjatë periudhave të nxehta të vitit.
Zona sportive është konceptuar një pistë patinazhi me pedana, e përshtatshme për "skate board", për fëmijët dhe të rinjtë e moshave të ndryshme.
Në hyrje të parkut fillon aksi kryesor i lëvizjes e paralel me të edhe hyrja për në zonën sportive, ku është konceptuar një plan i pjerrët për paraplegjikët.
Pas shkallëve, hapet një shesh i vogël ku stolat edhe çezmat me ujë të pijshëm të konfiguruara sërisht, do t’u shërbejnë patinatorëve apo kalimtarëve të rastit.
Përgjatë aksit kryesor të lëvizjes është pozicionuar zona e fëmijëve e cila është trajtuar si një gropë rëre me lodra të ndryshme si lisharëse, rrëshqitëse etj.
Zona e shërbimit ndodhet në pjesën fundore të parkut (jug-lindje). Është një strukturë e vetme e cila kryen disa funksione (banjo publike për vizitorët si edhe ambiente të tjera të nevojshme për punëtorët e mirëmbajtjes së parkut).
Shtrimi i rrugëve të parkut do të realizohet me pllaka të llojeve të ndryshme
Rruga kryesore e kalimit me sipërfaqe totale 875 m² si dhe rrugët dytësore të kalimit të këmbësorëve me sipërfaqe totale 1164 m² do të shtrohen me pllaka dekorative
Sipërfaqja e pistës do të ketë beton me ngjyra të ndryshme, për të krijuar një imazh më të larmishëm nga pikëpamja grafike si edhe për të qenë më pranë filozofisë së rinisë.
Shatërvani është një element qendror në konceptimin e parkut, i cili nuk është trajtuar si një shatërvan tradicional, por është një sipërfaqe relativisht e madhe dhe me kuotë të ulët, ku fëmijët do të kenë mundësi të argëtohen e të freskohen. Përreth shatërvanit do të ketë një stol të vazhduar rrethor i cili do të mundësojë qëndrimin rrotull shatërvanit. Pas stolit, është konceptuar një brez i mbjellë me portokallë të egër, hija e të cilëve ecën paralel me stolin, ndërkohë që stolat e tjerë do të vendosen përgjatë rrugëve të brendshme të parkut.
Ndriçimi është ideuar sipas funksionit të hapësirave. Zona sportive ka nevojë për një ndriçim më të fortë dhe të drejtpërdrejtë, të realizuar përmes vendosjes sështyllave metalike, ndërsa, zona e qetë do të ketë ndriçues pedonalë.
Përsa i përket gjelbërimit, hija eblirit dhe kumbullës së kuqe, do të ndjekë rrugët e lëvizjes. Gjithashtu do të përdoren edhe bimë të tjera, të tipit shkurre dekorative si trëndafilë, jasmin, manjola etj.