Kërkohej për vrasje, pranga 40-vjeçarit
Vlorë- Një 40-vjeçar, i kërkuar për vrasje është vënë në pranga sot nga policia e Vlorës, pas një operacioni të koduar me emrin “Miku”. Sipas burimeve të policisë mësohet se i arrestuari është shtetasi Koço Seferaj, akuzuar për vrasjen e 38-vjeçarit, Viktor Harizi dhe plagosjen e vëllait të viktimës.
Në makinën me të cilën ai udhëtonte janë gjetur një armë automatik, krehër me fishekë e prova të tjera materiale. “Policia ka vepruar kur i shumëkërkuari ka lëvizur me makinën e Luan Xhaferraj, 28-vjeç, mjet me targa VL 4705 C. Xhaferraj do të përgjigjet para drejtësisë për përkrahje të autorit të krimit”- thanë burimet policore.
Policia kishte të dhëna se 40-vjeçari ketë periudhë ishte strehuar në Vlorë te të afërm të tij. Ndaj tij gjykata e Vlorës kishte nxjerrë vendimin për masën e sigurisë arrest në burg, për vrasje dhe një tjetër vrasje të mbetur në tentativë.
Ngjarja për të cilin akuzohet Seferaj daton në 5 janar të vitit 2007, me vrasjen e
38-vjeçarit, Viktor Harizi, si dhe plagosjen e vëllait të tij, Sokol Harizi, 25-vjeç.
Prokuroria e Vlorës ka kërkuar burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes me dashje kundër 2 ose më shumë personash, si dhe armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një debati mes dy palëve për një parkim makine. Pas krimit autori u largua në drejtim të paditur dhe vetëm sot, ai ka përfunduar në qeli.