E Diel, 1 Nëntor 2026

Ademi: Sot kryeqyteti i Sllovakisë frymon shqip

PRISHTINË, 26 mars /ATSH/ Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, shprehu krenarinë e tij për përkrahjen e jashtëzakonshme që po merr Kombëtarja e Kosovës nga bashkëatdhetarët kudo në botë, përpara ndeshjes historike kundër Sllovakisë.

“Jam pafundësisht krenar kur shoh se si bashkëatdhetarët tanë kanë udhëtuar nga çdo kënd i globit, nga SHBA-të dhe Kanadaja, nga Skocia, Gjermania, Austria e Belgjika, e deri te shtetet skandinave për të qenë krahu i djathtë i djemve tanë”, shkroi Ademi.

Ndërkohë falënderoi tifogrupin “Dardanët”, qytetarët e Kosovës dhe bashkëatdhetarët nga mbarë bota për energjinë që po i japin Kombëtares, duke theksuar se përkrahja e tyre e madhe do të jetë shtysë për lojtarët në fushë.

“Uroj me gjithë shpirt që djemtë tanë sonte t’i përcjellë fati dhe t’ua shpërblejnë këtë mund e këtë besim me një fitore historike. Forca Kosovë!”, përfundoi kryetari i FFK-së.

Ndeshja mes Sllovakisë dhe Kosovës, zhvillohet sonte në Bratisllavë, nga ora 20:45, ku pritet të jetë një sfidë e fortë për Dardanët.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›