E Diel, 1 Nëntor 2026

DPSHTRR: Blerësit e mjeteve, afat 30-ditor për ndryshimin e pronësisë

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) u kujton qytetarëve që kanë blerë një mjet se duhet të kryejnë në kohë procedurën e ndryshimit të pronësisë.

Sipas njoftimit zyrtar, blerësit kanë në dispozicion 30 ditë nga nënshkrimi i kontratës për t’u paraqitur pranë sporteleve të DPSHTRR dhe për të përfunduar procedurat përkatëse.

Respektimi i këtij afati shmang penalitetet dhe garanton që dokumentacioni i mjetit të jetë në përputhje me kërkesat ligjore.

Pas përfundimit të procesit, të gjitha përgjegjësitë ligjore dhe detyrimet që lidhen me mjetin kalojnë te pronari i ri, duke liruar ish-pronarin nga çdo detyrim financiar apo administrativ.

DPSHTRR bën apel për respektimin e afateve, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt dhe të sigurt në qarkullimin rrugor.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›