Akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Mondi Mëhallës, Gjykata e Elbasanit lë në burg 29-vjeçarin

Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 29-vjeçarin Nevzat Spaho nga Përrenjasi, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla (Edmond Hyka) mbrëmjen e 30 nëntorit. Vendimi u mor nga gjyqtari Elis Dine, i cili pranoi kërkesën e prokurorit Gjergji Ceka, pasi Spaho rezulton person me precedentë të theksuar kriminalë.
Lidhjet mes Spahos dhe viktimës mbeten ende të paqarta, por hetimet çuan tek ai përmes automjetit të përdorur në atentat, i cili u gjet i djegur pranë fshatit Mirakë të Librazhdit.
Më herët, gjykata kishte lënë në burg edhe Xhino Agon, ortak i biznesmenit, i akuzuar gjithashtu si bashkëpunëtor. Dëshmitë e familjarëve të Mëhallës, të cilët pretenduan se dy ortakët kishin marrëdhënie shumë të mira, nuk bindën trupin gjykues.
Në burg u la edhe 52-vjeçari Kujtim Pisha, roje objekti dhe baba i dy fëmijëve, i akuzuar për “moskallëzim krimi”.
Policia vijon kërkimet për dy persona të tjerë të shpallur në kërkim, të dyshuar si pjesë e të njëjtit grup ekzekutorësh.
Mondi Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, u qëllua me tre plumba në kokë sapo hyri në mjetin e tij Range Rover, rreth orës 20:35 të mbrëmjes. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se atentati u krye nga një autor i vetëm, i cili u largua me shpejtësi me një automjet tip “Audi” drejt aksit Elbasan-Librazhd.
/rtsh.al/