Mbështetja për BE në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kryeson me 86%

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) prezantoi dje në Bruksel Barometrin e Ballkanit 2025, duke sjellë panoramën më gjithëpërfshirëse të perceptimeve të qytetarëve dhe biznesit në rajon.
Gjetjet e këtij viti tregojnë një rritje të ndjeshme të mbështetjes për integrimin europian, forcim të optimizmit dhe pritje më të qarta për reforma ekonomike.
Sipas rezultateve, mesatarisht 64% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mbështesin anëtarësimin në BE, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2015 dhe një rritje prej 10% krahasuar me vitin e kaluar.
Shqipëria kryeson bindshëm rajonin, me 86% të qytetarëve që mbështesin anëtarësimin në BE, e ndjekur nga Kosova me 78%.
Ndërkohë, në Serbi vetëm 42% e të pyeturve shprehen pro BE-së, ndërsa në Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë përkrahen përkatësisht nga 59% e qytetarëve.
Gjithashtu 43% e qytetarëve në Shqipëri shpresojnë se do të anëtarësohen në BE deri në 2030-ën, më e larta në rajon, teksa mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është 26%. Ndërsa 25% e qytetarve të rajonit presin që të anëtarësohen deri në 2035-ën.
“Këtë vit, qytetarët e Ballkanit Perëndimor po dërgojnë një mesazh të qartë: kur ndodh përparim i vërtetë, vjen edhe besimi”, deklaroi Amer Kapetanović, sekretari i përgjithshëm i RCC.
“Mbështetja për integrimin në BE është në një nivel rekord dhe besimi në bashkëpunimin rajonal mbetet vazhdimisht i fortë. Njerëzit e njohin vlerën e rezultateve praktike, nga më pak barriera dhe kosto më të ulëta deri te lidhshmëria më e mirë dhe mundësi të reja për të rinjtë dhe bizneset”, tha ai.
Optimizmi për afatet e anëtarësimit gjithashtu është në rritje. 26% e qytetarëve besojnë se anëtarësimi në BE është i mundur deri në vitin 2030, nga 20% vitin e kaluar, ndërsa 25% mendojnë se kjo mund të ndodhë deri në vitin 2035.
Tek të rinjtë, besimi është edhe më i fortë: 71% e tyre besojnë se hyrja në BE do të përmirësonte ekonominë, niveli më i lartë i pesë viteve të fundit.
Nga ana tjetër, Barometri nxjerr në pah edhe shqetësimet kryesore të qytetarëve të rajonit.
66% e të pyeturve rendisin rritjen e çmimeve dhe inflacionin si problemin kryesor, 44% përmendin gjendjen e përgjithshme ekonomike, ndërsa 35% e shohin korrupsionin si sfidën më të madhe.
Megjithatë, gjetjet tregojnë besim të lartë te bashkëpunimi brenda rajonit. 64% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se bashkëpunimi rajonal mund të përmirësojë ekonominë, ndërsa bizneset raportojnë përfitime konkrete nga nismat e përbashkëta, si heqja e roaming-ut dhe lëvizja brenda rajonit vetëm me kartë identiteti.
Në fjalën e tij, kryetari i Këshillit Rajonal, Amer Kapetanović theksoi rëndësinë e gjetjeve në prag të samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.
“Javën tjetër, udhëheqësit nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të mblidhen këtu në Bruksel. Gjetjet e Barometrit mund të shërbejnë si busull për atë samit”, u shpreh Kapetanović.
“Njerëzit në Ballkanin Perëndimor nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë rezultate. Ata e shpërblejnë progresin me besim. Ata besojnë në Evropë kur Evropa beson tek ata”, tha ai
Barometri i Ballkanit 2025 konfirmon se rajoni po hyn në një fazë të re optimizmi, me Shqipërinë që spikat si vendi më proeuropian dhe me pritshmëri të qarta për një integrim më të shpejtë dhe efikas në familjen europiane.
1 nga 6/gj.m/r.e/a.f/