Ambulancat, si taksitë. Lidhja, me radio
Autoriteti Shëndetësor Rajonal, një nga sektorët me lidhjen më të drejtpërdrejtë me popullatën, kërkon të kthehet në drejtori shëndetësore të Qarkut të Tiranës. Kjo, pas reformës në shëndetësi për kalimin në varësi të qendrave shëndetësore nga ASHR drejt Institutit të Sigurimeve Shëndetësore. Pas përpjekjeve për të kryer disa reforma të rëndësishme, kreu i Autoritetit Shëndetësor Rajonal thekson se po bëhen përpjekje për të përmirësuar dhe kuadrin ligjor gjatë këtij viti, pasi është tepër i vjetruar dhe ka nevojë për ndryshime që nga viti ‘63. Ndërsa projekti më i rëndësishëm, ai i privatizimit të transportit të urgjencës, do të përfundojë këtë vit. Në një intervistë për gazetën "Shqip", kreu i ASHR-së, Mhill Gecaj, sqaron se tashmë projekti ndodhet në fazat e shpalljes së tenderit ndërkombëtar.
Çfarë po bëhet me privatizimin e urgjencës dhe ç‘hapa janë hedhur deri tani për të realizuar këtë projekt? Mund të rendisni disa nga të mirat që do të sjellë privatizimi i këtij shërbimi dhe si do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes aktuale?
Është një pyetje që më është bërë shumë këtë fillim viti,
Të gjithë jemi koshientë se ky shërbim nuk ka qenë shumë eficent, çka do të thotë se qeveria ka harxhuar para dhe qytetarët nuk e kanë marrë siç duhet këtë shërbim. Kjo për shumë arsye. Në radhë të parë nga keqmenaxhimi, së dyti nga mungesa në pajisje dhe automjete dhe gjithashtu edhe forma e organizimit të shërbimit.
Aktualisht mund të citoj se kemi marrë masa në shumë drejtime, si në menaxhim. Pati ndryshime të stafit drejtues, duke bërë një organizim të mirë të punës dhe një disiplinim të punës si në lëvizjen e automjeteve, ashtu dhe në atë të personelit. Blemë pajisjen me mjetet e domosdoshme të punës, si medikamente, çantat e urgjencës, pajisjen me oksigjen të të gjithë automjeteve, dhe me defribilator, elektrokardiogramë dhe me të gjitha mjetet e tjera që i duhen një shërbimi të tillë, në mënyrë që edhe personeli mjekësor të mos ndihet keq, por edhe qytetarëve t‘ju jepet shërbimi. U vendos edhe rregullorja e shërbimit, e cila mungonte. Caktuam numrin 127, që funksionon falas, falë marrëveshjes me të gjitha kompanitë telefonike. Gjithashtu, ne nxorëm koston për këtë shërbim dhe e pamë të arsyeshme që t‘i propozojmë Ministrisë së Shëndetësisë privatizimin e transportit të këtij shërbimi. Është përpunuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm në shqip dhe anglisht dhe së shpejti do të hidhet në prokurim ndërkombëtar nga Ministria e Shëndetësisë. E theksoj se qytetarët e Tiranës nuk do të paguajnë asnjë gjë shtesë nga buxheti i tyre, përveçse do të marrin një shërbim më cilësor dhe në kohë rekord. Gjithashtu, dua të sqaroj se nga ana jonë është menduar që ky shërbim duhet të funksionojë me skuadra mobile, me radio frekuenca. Kjo do të thotë që t‘i përgjigjet thirrjes autoambulanca më e afërt. Tashmë, ne kemi marrë licencën dhe kemi shlyer të gjitha detyrimet plus. Pra, duhet të ketë edhe automjete shtesë për vetë faktin se tashmë Tirana ka marrë një shtrirje të gjerë.
Si e vlerësoni ju idenë e spitalit rajonal të Tiranës: është shpëtim për QSUT-në, apo shkatërrim për qendrën spitalore universitare të sëmundjeve të mushkërive, "Shefqet Ndroqi"?
Ne jemi i vetmi vend në Evropë, por edhe më gjerë, që një kryeqytet nuk ka një spital rajonal. A mund të ishte spitali i sëmundjeve të mushkërive apo një tjetër, kjo është pak e rëndësishme. Unë kam përmendur në atë kohë Spitalin Ushtarak, i cili pothuajse e ka humbur rolin si spital militar për vetë numrin e vogël të ushtarakëve të trajtuar në këtë qendër. Mungesa e spitalit rajonal ka sjellë edhe mosfunksionimin e mirë të sistemit të referimit. Pra, pacientët shkojnë nga parësori në terciar. Së dyti, qendra spitalore universitare gjatë këtyre viteve të tranzicionit është kthyer në disa raste në ambulanca lagjesh. Tani, a do të jetë ky universitar apo jo, kjo ngelet për t‘u parë. Për mua, Tirana ka nevojë për spital rajonal dhe mendoj se qendra spitalore universitare duhet të marrë rolin që i takon, ku duhet të zbatohen tre komponentë të rëndësishëm: ai akademik, kërkimor-shkencor dhe kurativ. Padyshim dhe trajtimin e rasteve të komplikuara, të cilat nuk mund të zgjidhen në spitalet rajonale.
Nisur nga përvoja juaj si drejtues i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, cilat janë disa nga ndryshimet që duhet të ndërmerren në shëndetësi?
Në fillim të vitit 2007 filloi reforma në sistemin parësor, për financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor, një element ky, shumë i rëndësishëm, që duhet të ishte bërë shumë vite më parë. Mendoj se, pavarësisht vështirësive që kishte në fillim, tani po ecën mirë. Së dyti, kjo reformë duhet të shtrihet në gjithë sistemin tonë shëndetësor dhe atë spitalor. Së treti, rritja e pagesës së kontributeve për sigurimet shëndetësore, sepse ne kemi përqindjen më të vogël në të gjitha vendet e rajonit dhe BE-së. Gjithashtu, edhe rritja e buxhetit për shëndetësinë. Së katërti, liberalizimi i tregut të sigurimeve shëndetësore. Një element tjetër i rëndësishëm është mënyra e futjes së medikamenteve në vendin tonë. Tashmë në Shqipëri u duhet dhënë prioritet kompanive serioze dhe të fuqishme, që operojnë sot në tregun evropian dhe të mos merremi akoma me medikamente, të cilat i përkasin botës së tretë, ku cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar. Po bëj një krahasim. Është më mirë të marrësh një recetë me një medikament cilësor edhe pse kushton më shumë, se sa duke përsëritur mjekimin disa herë, me një medikament jo cilësor, që jo vetëm nuk do të jepte rezultatin e duhur, por do të ulte edhe rezistencën.