Paralelizmat e gabuar
Në këto ditë të para pas pavarësisë së shumëpritur të Kosovës, përveç lumturisë që na ka pushtuar zemrat, na duhet të përballemi shpesh me argumentet që ngrenë kundërshtarët e pavarësisë. Termat "kutia e Pandorës" apo "shkelje e së drejtës ndërkombëtare" përsëriten në çdo konferencë për shtyp apo debat e artikull të atyre që e kundërshtojnë pavarësinë. Çuditërisht, këto alarme vijnë nga vende që kanë probleme të brendshme me minoritetet e tyre, apo krahina që kërkojnë të shkëputen. Pra, shkelja e së drejtës ndërkombëtare na qenka shqetësim ekskluziv i atyre vendeve që akuzohen nga një pjesë e popullsisë së tyre për mosrespektim të të drejtave të minoriteteve.
Do të mundohem që, mendimi i shprehur në këtë shkrim, të jetë sa më pak i influencuar nga bindja personale se Kosova duhet të dëmshpërblehet për vuajtjet që i janë shkaktuar e jo t‘i diskutohet pavarësia. Pra, si të gjithë ata që mbështesin pavarësinë e Kosovës, do të mundohem të shkoj në "ferrin e mendimit" për të bindur djajtë se e kanë gabim, me shpresën se do arrij të ruaj gjakftohtësinë përballë "nxehtësisë" së absurditetit.
Meqë nuk jam aspak specialist i fushës, nuk dua t‘i hyj debatit juridik, për interpretimin e së drejtës së popujve për vetëvendosje, apo interpretimin e Rezolutës 1244, që njeh Kosovën si pjesë të Federatës Jugosllave dhe jo të Serbisë. Jo se këto dy pika nuk janë argumente të forta në mbështetje të pavarësisë, por se janë thënë e argumentuar shumë herë dhe shumë më mirë se ç‘do mund ta bëja unë. Nga ana tjetër, problemi i mosrespektimit të së drejtës për vetëvendosje të popujve, është disi i gjeneralizuar, ndaj mendoj se vlen më tepër të evidentohet veçoria e rastit të Kosovës.
Së pari, vlen të përmendet fakti se Kosova nuk u shkëput nga Shqipëria për t‘u bashkuar me Jugosllavinë me dëshirën e saj, por me vendim të Fuqive të Mëdha që, vendin e fundit që mori pavarësinë nga Perandoria Osmane, e përdorën për të shpërblyer aleatët e tyre në rajon. Ky vendim u kundërshtua gjithmonë nga shqiptarët, dhe Kosova u mbajt gjithmonë me anë të dhunës. Kjo bën që sot në Kosovë, më shumë se 90% e popullsisë (100% e shqiptarëve) të derdhë lot gëzimi për këtë pavarësi. Me këtë automatikisht eliminohen paralelizmat me shumicën e lëvizjeve separatiste evropiane, që kanë lindur shumë më vonë se përcaktimi i kufijve, e që mbështeten vetëm nga një pjesë e popullsisë që nuk krahasohet me mbështetjen masive të pavarësisë në Kosovë.
Fakti që një pjesë e mirë e vendeve të mëdha evropiane janë ndërtuar, jo mbi baza etnike, por mbi baza koalicionesh të mbretërve e prijësve të dikurshëm, ka bërë që, në këto vende, problemet etnike janë tejkaluar prej kohësh. Faktikisht sot në BE, shumë pak flitet për etni dhe shumë më tepër për qytetarinë, në pritje që të flitet për thjesht evropianë. Ndaj lëvizjet separatiste gjejnë shumë pak mbështetje.
Për më tepër barazia dhe bashkëjetesa paqësore në demokraci (se bashkëjetesa në diktaturë është e imponuar si gjithçka) është e jetuar dhe nuk mund të vihet në dyshim. Gjë kjo, absolutisht e paimagjinueshme në Serbi apo ish-Jugosllavi, ku shqiptarët konsideroheshin si qytetarë të dorës së fundit, siç e pranon edhe shkrimtari serb Vladimir Arsenijeviç, në shkrimin e tij "Our negroes, our enemies".
Vlen të theksohet gjithashtu se kërkesa e shqiptarëve të Kosovës për të krijuar shtetin e tyre nuk erdhi si rezultat i diskriminimit të vazhdueshëm që u bëhej në Federatën Jugosllave, por si rezultat i dhunës dhe gjenocidit që serbët ushtruan në Kosovë gjatë viteve ‘90. Kjo dhunë, në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, mund të krahasohet vetëm me atë që po serbët ushtruan në Bosnje apo Kroaci, po kurrsesi nuk është përjetuar nga ndonjë minoritet apo krahinë e caktuar në vendet e BE-së. Kjo e bën rastin e Kosovës krejt të paprecedent dhe paralelizmin me Republika Serbska të Bosnjës, krejt të pavend, pasi serbët e Bosnjës ishin agresorët dhe jo viktimat.
Nga ana tjetër, mbi ç‘bazë logjike pretendohet që në një federatë të quajtur Jugosllavi, pra sllavët e jugut (pasi largohen të gjithë sllavët se nuk arrijnë ta durojnë arrogancën serbe), të mbahen me dhunë shqiptarët, që asgjë nuk i lidh me serbët? Për më tepër që ata u futën me pahir në këtë "montazh" të brishtë, që ishte fryt i konflikteve mbarë evropiane e jo i një logjike afatgjatë bashkëjetese, siç është BE-ja. Meqë kemi hyrë në "lojën e paralelizmave" le të imagjinojmë një skenar ekstrem dhe të bëjmë edhe ne një pyetje për Spanjën. A do të kishte logjikë që Madridi zyrtar të mbante me forcë baskët, në rast se të gjitha krahinat e tjera si Galicia apo Katalonja, do ishin shkëputur?
Ndërhyrja e NATO-s për të ndaluar dhunën dhe administrimi i Kosovës nga UNMIK-u për nëntë vjet, e shkëputën "de facto" Kosovën. Por mospërcaktimi i statusit, bëri që Kosova të humbë goxha kohë në rrugën e saj drejt Evropës. Ishte pra emergjente gjetja e një zgjidhjeje. Siç shprehet edhe specialisti i Evropës Lindore pranë CERI-t, z. Rupnik, tre ishin opsionet që i paraqiteshin komunitetit ndërkombëtar: Pavarësia, status-quo-ja në këtë rrugë pa krye dhe integrimi i Kosovës në Serbi. Kjo e fundit është absolutisht e pamundur dhe këtë nuk e ëndërrojnë më as vetë liderët radikalë serbë dhe nuk guxojnë ta pretendojnë as kundërshtarët e pavarësisë. Opsioni i dytë është ai që shpresonin të gjithë këta, paçka kostos për Kosovën. Klasa politike e vendeve si Spanja, për të shmangur qoftë edhe ndonjë rrjedhje të vogël votash; Rusia për të ruajtur plagë të hapura në Ballkan dhe për të vonuar sa më shumë integrimin e Ballkanit Perëndimor në NATO e BE; kurse radikalët serbë për të ruajtur postet e tyre. Këta të fundit do të "shfaqeshin" me tërë paaftësinë e tyre para elektoratit serb, kur "të paaftët", siç i quajnë ata shqiptarët e Kosovës, të bënin hapa shumë më të shpejtë drejt BE-së se "të përkëdhelurit" e rajonit, serbët.
Një tjetër "arsye" për mospranimin e pavarësisë së Kosovës, na është dhënë këto ditë nga Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez. Në deklaratën e tij, ai ka shprehur "shqetësimin" e të gjithë atyre që pretendojnë se janë komunistë (komunizmi vetëm një pretendim është në fund të fundit). Me një frymë që do ta kish pasur zili edhe regjimi enverist në Shqipëri, Chavez deklaroi se ai kurrë nuk do ta njihte Kosovën, përderisa pavarësia e saj mbështetej nga Shtetet e Bashkuara. Them se edhe monizmi ynë do ta kishte zili, për faktin se Tirana zyrtare të paktën përkrahte luftën për liri të popullit afgan kundër pushtuesve sovjetikë, pavarësisht se kjo luftë mbështetej fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara.
Ky qëndrim i Chavez është po aq absurd sa do të ishte një deklaratë në mbështetje të terrorizmit të Bin Laden-it me pretendimin se ai lufton "imperializmin amerikan". Këtyre njerëzve u janë verbuar aq shumë sytë nga urrejtja për Shtetet e Bashkuara, saqë kanë humbur çdo lidhje me realitetin. Në këto kushte, nuk është për t‘u çuditur që një antiamerikan ekstrem, si Jean-Pierre Chevenement, deklaron në të përditshmen franceze "Le Figaro" se shqiptarët janë vendosur në Kosovë gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. As vetë demagogët serbë nuk kanë arritur ta ngrenë një tezë kaq haluçinante.
Meqë jemi te pretendimet dhe krahasimet qesharake, vlen të përmendim edhe akuzat e ngritura nga qeveria serbe për liderët e shtetit të Kosovës. Ata akuzohen si terroristë, e madje ambasadori serb në Tanzani e krahasonte Thaçin me Bin Laden-in. Ky krahasim absurd bëhet nga qeveritarët serbë me qëllimin e qartë që t‘u mohojnë shqiptarëve të Kosovës një meritë të madhe që e bën akoma më unik rastin e Kosovës: rezistencën e tyre paqësore të udhëhequr nga Gandi i Ballkanit, Rugova. Edhe kur dhuna e represioni serb u bënë të padurueshëm, shqiptarët rrokën armët me dinjitet, pavarësisht se ishin në disfavor të madh me armatimin e ushtrisë serbe. Ata asnjëherë nuk zgjodhën rrugën e thjeshtë të terrorizmit, që përdoret nga pothuaj të gjitha organizatat separatiste. Për ta ishte e qartë se për krimet e ushtrisë apo paramilitarëve serbë, nuk kishin pse të paguanin fëmijët, gratë apo cilido fqinj i tyre serb, që ishte i pa implikuar në krime. Kjo është një provë e fortë se ata serbë të Kosovës, që nuk e kanë bazuar ekzistencën e tyre mbi urrejtjen për shqiptarët, do të mund të jetojnë në harmoni të plotë në një shtet ku shqiptarët përbëjnë shumicën.
Në këtë shkrim u mundova të "rrëzoj" paralelizmat që i bëhen çështjes së Kosovës me lëvizjet separatiste. I vetmi paralelizëm që nuk trajtova deri këtu, është ai me situata vërtet të ngjashme. Pra, me ato raste kur represioni dhe dhuna kanë shkaktuar mijëra të vrarë e të humbur, një eksod masiv të gjysmës së popullsisë dhe djegien e rrënimin e vendit. Për raste të tjera të tilla, precedenti nuk është Kosova, por ai minimum humanizmi që mund të jetë ringjallur në organizatat ndërkombëtare, nga pamjet e tmerrshme të varreve masive që serbët lanë kudo që ata ndërhynë ushtarakisht. Në rast se mbrojtja e fëmijëve apo grave dhe parandalimi i masakrave të tilla, përbën, sipas jush, "shkelje" të së drejtës ndërkombëtare, atëherë fajin, zotërinj, nuk duhet ta kërkoni te viktimat, por tek interpretimi i shtrembër që ju i bëni së drejtës ndërkombëtare.