Kongresi që mblodhi të gjithë shqiptarët
Nënkryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, ish-kryetar i saj, ka treguar për Kongresin e Unionit Shqiptar Demokristian, në vitin 1995, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare.
Si e përjetuat shpalljen e Republikës së Kosovës?
Jam krenar, sepse edhe demokristianët shqiptarë kanë dhënë një kontribut mjaft modest, por shumë të çmuar për pavarësinë e Kosovës. Kur them demokristianët shqiptarë kam parasysh në radhë të parë demokristianët në Kosovë, të cilët e themeluan partinë më 4 nëntor 1990, pra para se të flitej për themelimin e një partie demokristiane në Shqipëri. Ishin pikërisht kryetari i parë i kësaj partie në Kosovë, Lazër Krasniqi, së bashku me nënkryetarin prof. dr. Abdullah Karakdiun dhe sekretarin Engjell Sedaj, të cilët pas themelimit të PSHDK-së udhëtuan drejt Shqipërisë për të kontribuar në themelimin e një Partie Demokristiane, e cila u krijua më 11 dhjetor 1991. Kështu nisi bashkëpunimi ynë, që nuk ndaloi për vite me radhë.
Po Unioni...?
Po, vendosëm të krijojmë Unionin Shqiptar Demokristian. Mbledhja ku u vendos themelimi u bë në sallën "Hochdorf" afër Luzern-it, më 17 qershor 1995, dhe në kryesinë e saj ishte akademiku Mark Krasniqi (kryetari i PSHDK), unë si kryetar i PDK në ‘95) etj... Një ditë pas aktit të themelimit dhe miratimit të memorandumit demokristian pjesëmarrja madhështore e më shumë se 1200 bashkatdhetarëve shqiptarë në një takim, dëshmonte se është ideali i bashkimit ai që mund të mobilizojë të gjithë shqiptarët.
A e realizuat mbajtjen e Kongresit të Unionit Shqiptar Demokristian?
Më 2-3 dhjetor 1995, në Tiranë u mbajt Kongresi i Parë i Unionit Demokristian Shqiptar. Kongresi zhvillohej në një nga periudhat më delikate të kombit shqiptar, prandaj dhe vlera e tij do të mbetet historike për kontributin demokristian në çështjen kombëtare dhe pavarësinë e Kosovës. Në kongres morën pjesë, veç delegatëve demokristianë nga Shqipëria, Kosova e diaspora edhe përfaqësuesit kryesorë të partive politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja. Pra, nga të gjitha trevat shqiptare. Ky ishte kongresi që bashkoi shqiptarët.